[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

12 kolegët e një polici që u zu në gjumë transferohen nga Zhuri në Prizren



Mekanizmat e inspektimit dhe kontrollit të brendshëm të Policisë së Kosovë gjatë një inspektimit që kishin zhvilluar në mëngjesin e 23 gushtit të këtij viti në nënstacionin policor në Zhur të Prizrenit, kishin zënë në gjumë një polic i cili ishte në detyrë.

Me vendim të drejtorit rajonal të Prizrenit, ky zyrtar policor ishte suspenduar për 72 orë. Ndërkohë, burime të KosovaPress-it, thonë se përveç suspendimit të policit të fjalë, janë transferuar edhe 12 policët tjerë nga Zhuri në stacionin policor në Prizren, përveç komandantit të këtij nënstacioni.

Transferimi thuhet të ketë ndodhur si dënim për kapjen e kolegut të tyre në gjumë.KosovaPress lidhur me rastin ka kërkuar sqarime nga zyra për informim në Drejtorinë Rajonale të Prizrenit. Përmes një përgjigje elektronike pasi që nuk kanë pranuar që për rastin të flasin para kamerës, zëdhënësi i këtij rajoni, Shaban Osmanollaj i ka thënë KosovaPress-it, se rastin e zyrtarit policor i cili është gjetur duke fjetur derisa ishte në detyrë, është duke e hetuar Drejtoria e Standardeve Profesionale.

“Policia e Kosovës në kuadër të strukturimit të saj ka mekanizmat e inspektimit dhe kontrollit të brendshëm, të cilët bazuar në detyrat dhe planifikimet e tyre realizojnë inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme, me qëllim që Policia e Kosovës dhe personeli i saj të jenë sa më efikas dhe profesional në realizimin e detyrave policore. Referuar rastit të cilit ju keni referuar është iniciuar procedure disiplinore e brendshme për shkak te shkeljes se rënde disiplinore, ku me vendim të Drejtorit Rajonal zyrtari policor është suspenduar në afat prej 72 ore. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale”, thuhej në shkresën elektronike.

Përmes kësaj shkese mohohet se 12 policët tjerë të nënstacionit policor të Zhurit janë suspenduar për shkak të kolegut të tyre. Aty thuhet se transferimi i këtyre pjesëtarëve nga Zhuri për në stacionin policor të Prizrenit nuk ka të bëjë me suspendimin e kolegut e tyre dhe se ndaj asnjërit prej këtyre 12 policëve nuk është iniciuar hetim i brendshëm.“Policia e Kosovës bazuar në plotësimin e nevojave operacionale dhe të strukturës organizative, bënë edhe transferimin e punonjësve të saj, i cili bëhet çdoherë bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe udhëzimet administrative.

Ndaj asnjë zyrtari policor tjetër nuk është iniciuar hetim i brendshëm dhe lëvizja e personelit nuk ka të bëjë me çështjen e policit të suspenduar, mirëpo duke u bazuar në udhëzimin administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, në bazë të nenit 32, paragrafi 1 dhe paragrafi 7 i këtij neni, është kompetencë e Drejtorit Rajonal që për nevoja operative dhe ngritjen e imazhit për të rritur performancën në punë të bëhet lëvizja e personelit policor që të arrihen rezultatet e dëshiruara në luftën kundër shkeljeve ligjore. Nënstacioni policor në Zhur është pjese përbërëse e Stacionit policor në Prizren dhe në bazë të nevojave operative dhe performancës në detyrë, personeli i këtij stacioni vazhdimisht sistemohet në bazë të meritave, profesionalizmit dhe rezultateve të arritura. Madje për shkak të situatës së pandemisë, kemi lëvizje të personelit edhe nga njësit e hetimeve rajonale dhe njësitë e specializuara nga të gjitha departamentet”, njofton zyra për informim në Drejtorin Rajonale të Policisë në Prizren.

 

KosovaPress ka qëndruar edhe në nënstacionin policor në Zhur të Prizrenit. Aty takoi komandantin e kësaj zone, Zyber Susuri, i cili duke mos dashur të flas para kamerës, ka thënë se në kohën kur kanë ndodhur këto ndryshime në nënstacionit policor të Zhurit, ka qenë në pushim mjekësor.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, polici i cili nga mekanizmat e inspektimit dhe kontrollit të brendshëm të Policisë së Kosovë është zënë në gjumë ka edhe probleme shëndetësore me diabet.Për mënyrën e transferimit të 12 policëve nga Zhuri në Prizren, KosovaPress ka kërkuar një përgjigje edhe nga Inspektorarit Policor i Kosovës. Në një përgjigje elektronike nga zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka thuhej se Departamenti i Hetimeve në kuadër të Inspektoratit Policor nuk ka trajtuar ndonjë rast të tillë. Sipas tij, ky rast mund të jetë inicim i brendshëm i Policisë së Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj iu njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve nuk ka trajtuar ndonjë rast të tillë. Ju lutem që këtë kërkesë ta referoni te Policia e Kosovës nëse i njëjti rast mund të jetë inicim i brendshëm i PK-së”, thuhej në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Menu Title