.
×

14 fakte nga jeta e Madeleine Albright me origjinë hebreje që bëri historinë



Botapress 13 Qeshor- Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit. Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 – “Zonja Sekretare”. Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.

Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.

Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”,

Por si kaloi jeta e saj nga fëmijëria deri në shtigjet e politikës, mund ta mësoni më poshtë:

“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal

Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frengjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Familja e saj iku nga nazistët

Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist.

Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.

U shfaq në një film për refugjatë

Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo morri një arush prej pellushi.

Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here

Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj.

Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.

Familja e tyre nis një jetë të re në Denver

Pasi babai i saj mbërriti në SHBA, familja jetoi në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Pasi Josef siguroi punë si mësimdhënës në Universitetin e Denverit, familja u vendos në qytetin e tyre të ri dhe Albright filloi të studionte në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.

Ishte tejet e sukseshme në Kolegj

Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, gjatë një pune praktike në Postën e Denverit. Në librin e saj, Albright kujton se ishte traditë që gratë në Wellesley të martoheshin në ditën e diplomimit. Përkundër kësaj, ajo priti tri ditë pas marrjes së diplomës për t’u martuar me Jozefin.

Nga një vend në tjetrin – një jetë në lëvizje

Albright u zhvendos disa herë për shkak të karrierës së Jozefit. Nga viti 1961, çifti jetoi në Rolla të Missourit dhe Çikago përpara se të jetonin në Long Island, ku edhe lindën binjakët e tyre, Alice dhe Anne.

Në vitin 1962 familja u zhvendos në Georgetown, ku Madeleine studioi marrëdhëniet ruse dhe ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Kur ata u kthyen në Long Island në vitin 1963, Albright vazhdoi studimet e saj në Universitetin e Kolumbias, ku dhe morri një certifikatë masteri, në vitin 1968 edhe një doktoraturë, e më pas lindi edhe vajza e saj e tretë.

Zhvendosja në Uashington i dha kahje karrierës së saj

Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.

Ajo ndoqi hapat e të atit për shkollim akademik

Pasi martesa e saj 22-vjeçare përfundoi me divorc në vitin 1982, Albright u bashkua me Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown si profesoreshë e Shkencave Kërkimore në Çështjet Ndërkombëtare, ku ushtroi disa kurse universitare dhe pasdiplomike. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e programit të Shërbimit të Gruas në Shërbimin e Jashtëm.

Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira

Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.

Roli i saj historik si Sekretare Shteti

Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.

Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.

Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior

Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.

Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.

Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje

Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.

Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.

Gjithnjë ka patur një sens humori

Albright ka thënë se ajo ishte shumë serioze si fëmijë, por duke u rritur ka zhvilluar sens të jashtëzakonshëm humori.

Kështu, si diplomate, ajo ka ditur të reagojë edhe në situata të tensionuara. Për t’u argëtuar, zonja Albright madje ka marrë pjesë në show-in televiziv – Gilmore Girls.

Veshja e saj me stil dhe karficat me mesazhe

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.

Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.