.
×

24 vjet nga miratimi i Kushtetutës se Republikës se Kosovës



Sot mbushen 24 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaqanikut. Më 7 Shtator 1990 deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila erdhi si rezultati shpalljes se Deklaratës së Pavarësisë më 2 Korrik të po atij viti. Bashkë me referendumin për pavarësi, këto dy akte i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës. Deputetët që e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut meritojnë nderimin e përhershëm.

Dita e 7 Shtatorit të vitit 1990 ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut të të njëjtit vit, pat deklaruar Presidenti historik i Kosovës dhe i LDK-së, dr. Ibrahim Rugova.

 Para 2 4 viteve, në 7 Shtator 1990, Kuvendi miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deputetët që e miratuan këtë akt madhor juridik meritojnë nderimin e përhershëm të të gjithë brezave ngase Kushtetuta e Kaçanikut u miratua në rrethana të jashtëzakonshme, kur Kosova ndodhej nën një shtetrrethim brutal policor.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se 7 shtatori i vitit 1990 ka hyrë në histori si ditë e vënies së themeleve të shtetit të pavarur, sovran e demokratik te Kosovës.

“Siç e thoshte edhe Presidenti historik i Kosovës dhe i LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, Dita e 7 Shtatorit të vitit 1990 ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut të të njëjtit vit. Më se një dekadë, kjo kushtetutë ka qenë baza e funksionimit të plotë të shoqërisë së Kosovës në të gjitha poret e jetës”, thekson Mustafa me rastin e Ditës së miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Mustafa ka thënë se deputetët që e miratuan këtë akt madhor juridik meritojnë nderimin e përhershëm të të gjithë brezave pasi siç tha ai  Kushtetuta e Kaçanikut u miratua në rrethana të jashtëzakonshme, kur Kosova ndodhej nën një shtetrrethim brutal policor.

Kushtetuta e Kaçanikut hap i guximshëm intelektual

Në 24 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi lart kontributin e delegatëve të Kosovës që shpallën Kushtetutën e Kosovës më 7 shtator 1990.

 Kryeministri Hashim Thaçi, vlerëson se vendimi për shpalljen e Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik, ishte veprim i drejtë politik, hap i guximshëm moral dhe qytetar. ”Rrënimi i çdo institucioni dhe subjektivitetit juridiko – politik të Kosovës nga politika hegjemoniste e Beogradit kishte krijuar të gjitha parakushtet që qytetarët e Kosovës të ndërmerrnin organizimin politik në interes të vetëmbrojtjes dhe ruajtjes së qenies së tyre.

Vetëdija politike, refuzimi i gjerë qytetar ndaj aparatit administrativ politik, ushtarak dhe policor të Serbisë së Millosheviqit, kulmoi me deklarimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht rrethanave të vështira brenda në Kosovë dhe përkrahjes së munguar atë kohë në rrafshin ndërkombëtar. Falë përpjekjeve të shumta, përkrahjes së botës demokratike, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, shtet me institucione të zgjedhura nga vullneti i qytetarëve të saj, shtet me Kushtetutë moderne dhe i njohur nga më shumë njëqind vende të botës”, deklaroi Thaçi. Sipas tij, përpjekjet për liri, pavarësi dhe çlirim nuk kanë rreshtur asnjëherë ndaj kështu edhe Kosova gjeti rrugën drejt realizimit të aspiratës shekullore.

Kushtetuta e Kaçanikut porte e të gjitha të arriturave

Edhe publicisti Haki Latifi vlerëson lartë aktin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ai thotë se në këto rrethana u lind Alternativa politike (LDK), si lëvizje politike mbarëpopullore, nën udhëheqjen e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

 “Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

 Në këto rrethana u lind Alternativa politike (LDK), si lëvizje politike mbarëpopullore, nën udhëheqjen e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, e cila krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën. Duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror”, thekson Latifi.

 Kushtetutes se Kacanikut dhe Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishte paraprirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, me kërkesat gjithëpopullore për Kosovën shtet te pavarur e sovran. /standardi.eu/