.
×

A do të marrë pjesë PDK’ja në tryezën e thirrur nga VV?



 

Këtë të premte do të mbahet tryeza me partitë politike, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje. Nëpërmjet kësaj tryeze, ky subjekt politik po tenton të diskutojë rreth gjetjes së një alternative për zgjedhje në vend, shkruan Gazeta Express.
Por për zgjedhje të reja në vend nuk është e interesuar të diskutojë PDK’ja. Këta të fundit kanë thënë për Express se nuk kanë marrë ende një ftesë zyrtare për këtë takim, dhe se qëllimi i këtij takimi nuk është të flitet për zgjedhje të parakohshme

“Ajo që mund të them tash është se qëllimi i tryezave ka qenë që të arrihet konsensus i gjërë për tema të rëndësishme nacionale dhe jo të diskutohet për zgjedhje, të cilat ne mendojmë se duhet të mbahen në afatin e rregullt ligjor” –ka thënë Krasniqi .

Lëvizja Vetëvendosje në një njoftim për media ka thënë se tema e kësaj tryeze do të jetë “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”

“Kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhja demokratike që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe integrimet euro-atlantike, duke përfshirë këtu edhe pakicat në shtetin tonë e raportin me fqinjët tanë”, thuhet në njoftimin e VV’së.

Nismëtare e tryezës së partive politike ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës. Në tryezën e LDK’së u diskutua për situatën politike në vend dhe mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja.

Në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës, u bisedua për arritjen e një konsensusi nacional për çështjet e mëdha. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte marrë pjesë në tryezën e PDK’së.