.
×

A do t’i vijë Edi Rama Ramush Haradinajt në përurimin e Autostradës



Edi Rama për muaj të tërë ka drejtuar akuza e ofendime nga më të rëndat drejt kryeministri të Kosovës, Ramush Haradinajt. Megjithatë ajo gjuhë nuk e ka penguar kryeministrin e Kosovës, që të ftojë Ramën në inaugurimin e autostradës “Arbën Xhaferi’, që do të bëhët me 29 maj. Por a do të vijë Edi Rama në Kosovë me ftesë të Haradinajt, pas gjithë atyre përplasjeve ?

Momenti i vendosjes së duarve mbi flamurin kuq e zi, gjatë mbledhjes së dy qeverive shqiptare në Pejë me 26 nëntor të vitit të kaluar, mund të konsiderohet edhe si një moment që ka përmbyllur miqësinë ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Që pas asaj kohe, zhvillimet politike në Kosovë, dhe përplasjet e brendshme për idenë e ndryshimit të  kufijve, kanë bërë që Rama të rreshtohet krah Thaçit, duke e sulmuar e ofenduar Haradinajn vazhdimisht.

Gomarë, budalla e gënjeshtarë, këto janë vetëm disa nga ofendimet që Edi Rama ia ka bërë Ramush Haradinajt gjatë gjithë kësaj kohe, në përpjekje e sipër për të mbuluar Thaçin dhe idenë për ndarje të Kosovës.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën apo për të krijuar një hartë të ri për botën, më kujton atë shprehjen që pa dalë Facebook-u, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet, sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe. Nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme, thonte një shprehje”, kishte shkruar kryeministri i Shqipërisë, si përgjigje për deklaratat e Ramush Haradinajt se Rama, Thaçi dhe Vuçiq nën mbikëqyrjen e Mogherinit kanë folur për ndarjen e Kosovës.

Megjithatë kryeministri i Kosovës, asnjëherë nuk është lëshuar në ofendime të tilla, duke thënë se ka respekt për institucionet e Republikës së Shqipërisë, dhe për më tepër ka thënë se Edi Ramën e ka edhe vëlla.

“Kryeministri i Shqipërisë është institucion për të cilin kam shkumë respekt, Edi Rama është vëlla i imi, qysh janë vëllezër edhe motra të mi krejt shqiptarët kudo që janë. Unë e kam thënë të vërtetën për atë që ka ndodhur në Samitin e Berlinit”, ka thënë Haradinaj si përgjigje për ofendimet e Ramës.

E se ka respekt dhe se e konsideron si vëlla, Haradinaj e ka treguar edhe duke i bërë ftesë Edi Ramës, që të marrë pjesë në inaugurimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë, e që do të behet me 29 maj të këtij viti.

E pas gjithë këtyre përplasjeve mbetet të shihet nëse do të pranojë një ftesë të tillë Edi Rama, e nëse do të zgjedh që të vijë në Kosovë për të prerë shiritin e autostradës bashkë me kryeministrin Haradinaj, me të cilin muajt e fundit vetëm janë përplasur.

Përplasje me Haradinajn ka pasur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili para pak ditësh ka qëndruar në Tiranë, për t’u dakorduar me Ramën për Samitin e Parisit, ndërkohë në anën tjetër, Haradinaj ka takuar Ilir Metën, duke e bërë të qartë se tashmë në politikën shqiptare janë krijuar dy taborre.

Në njërën anë Thaçi e Rama si përkrahës së idesë për korrigjim të kuvije, dhe në anën tjetër gjithë politikanë shqiptarë që kundërshtojnë një gjë të tillë.