.
×

A po e shqyrton mundësinë e dorëheqjes Shpend Ahmeti?



Botapress 8 Tetor – Shpend Ahmeti është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryetarit të Komunës së Prishtinës për shkak të rezultatit katastrofal zgjedhor të koalicionit AAK-PSD në kryeqytet në zgjedhjet e së dielës, bëjnë të ditur burimet e portalit “Front Online”.

Këto burime kanë thënë se Ahmeti i ka paralajmëruar për një mundësi të tillë zyrtarët partiak, duke thënë se nëse zgjidhet deputet do ta zgjedhë postin në legjislativ, nëse jo do të angazhohet për BERZH-in në Londër.

“Shpendi është duke e shqyrtuar mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryetarit të Prishtinës pas rezultatit të dobët zgjedhor në zgjedhjet e së dielës. Ai ose do të mbetet vetëm deputet, ose do të shkoj të punoj në Londër për BERZH-in”, ka pohuar ky burim i afërt me bashkëpunëtorët e ngushtë të Shpend Ahmetit.

Përndryshe, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, koalicioni AAK-PSD ka marrë vetëm 7633 vota në Prishtinë, përderisa para tyre kanë dalë PDK-ja e Kadri Veselit me mbi 15 mijë vota, LDK-ja me mbi 32 mijë vota dhe Lëvizja “Vetëvendosje” mbi 37 mijë vota.

Shpend Ahmeti e ka mandatin e dytë në Komunën e Prishtinës.

Portali “Front Online” ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarët e PSD-së, por një informacion të tillë s’ka arritur ta konfirmoj.