[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

A po lihen anash pacientët në kohë të Covid 19, kështu pergjigjet drejtori i Emergjencës



Që nga përhapja e koronavirusit në Kosovë, qytetarët po ankohen se po iu duhet të presin rreth dy orë për të marrë trajtim në Emergjencën e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Madje, njëri prej tyre sot ka thënë se nuk është trajtuar familjarja e saj derisa ka telefonuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Policinë e Kosovës.

“Sot më datë 05.04. 2020 në Emergjencë në Prishtinë, kur kërkojmë ndihmë nga personi mjekësor, at ana vijnë në ndihmë mbas 1:30 minuta, mbasi kontaktojmë Ministrinë dhe Policinë”, ka shkruar ai në Facebook.

E për këto ankesa të qytetarëve është deklaruar Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani.

Në një prononcim për Gazetën Express, Lenjani ka thënë se nuk është e vërtetë që ka shumë pritje, por se ndonjë pacienti mund t’i bie të pres disa minuta, meqenëse ata iu dhënë përparësi rasteve që janë me rrezik jete.

Sipas tij, shumica e rasteve që udhëzohen për në Emergjencë mund të trajtohen nga mjeku familjar.

“Jo, nuk është e vërtetë që ka shumë pritje, por që ne normal i trajtojmë më shpejt rastet urgjente. Ne nuk mund ta lëmë të pres një person me arrest kardiak për një me dhimbje barku ose veshi. Nuk mund t’i trajtojmë të gjitha rastet përnjëherë. Ne iu japim prioritet rasteve që janë me rrezik jete. Vetëm me i pa udhëzimet më të cilat na i dërgojnë në Emergjencë, çuditesh. Të gjithë janë raste që munden me u trajtu nga mjeku familjar. Por, Spitalet Rajonale po i përcjellin krejt te ne, edhe pse munden me u trajtu në to. Kaq janë kapacitetet tona”, ka thënë Lenjani .

Ndryshe, aktualisht në gjithë vendin janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, derisa mëngjesin e sotëm janë shënuar edhe dy viktima nga koronaviruasi, duke çuar në 3 numrin e të vdekurve.

Menu Title