[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Abdulla Shasivari nxjerr në botim librin “Betejat e mia”



 

Nga REXHEP sHAHU: (U botua libri “Betejat e mia” i autorit Abdulla Shasivari, botim i Shtëpisë Botuese e promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë”)

Miq, ka dalë nga shtypi një libër i rrallë, i veçantë dhe i domosdoshëm, i autorit Abdulla Shasivari, ish komandant lufte, botim i Shtëpisë Botuese e Promovuese, Klubi i Poezisë, Tiranë.
Si botues dhe redaktor i këtij libri të veçantë jam krenar sepse është libri më i bukur që një komandant i vërtetë lufte ua kushton shokëve të tij luftëtarë.
Unë nuk e di a ka e sa ka libra nga komandantët realë të luftës për Kosovën, nga komandantët që kanë bërë luftë dhe kanë shpëtuar pahiri nga vringëllimat e plumbave. Por do të thoja se ky është libri më i bukur, që di unë, që na tregon se UÇK ka pasë luftëtarë të atillë që pas luftës mënjëherë kanë parë punët e veta dhe nuk i janë bërë barrë e zgjebe atdheut, Kosovës, nuk kanë trokitë askund dyerve të shtetit të Kosovës për asnjë lloj pëfitimi, benefici e privilegji. E këta janë në fakt luftëtarët e herojtë e vërtetë të luftës për Kosovën, që gjenden në këtë libër, të cilët kanë bërë detyrën ndaj atdheut dhe nuk duan ta shqyejnë atdheun.
Në librin e komandant Abdulla Shasivarit do të mësoni të verteta të ftohta dhe shumëkush do të bëhet akull nga të vërtetat që nuk dinë e nuk mund të vdesin. Histori reale për UÇK.
Libri “Betejat e mia” i komandantit të kohës së luftës Abdulla Shasivarit është një hymn e miërënjohje e thellë për Ministrin e mbrojtjes të Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi që e vranë tradhëtisht në Tiranë dy tre ditë pasi ai inspektoi Brigaden profesionale “Skendërbeu” në Kalimash të Kukësit, që e komandonte Abdulla Shasivari, brigade me të cilin Ministri Krasniqi deklaroi se do të hynte në luftë vetë në Kosovë.
Në librin “Betejat e mia” të komandantit Abdulla Shasivari, i shkruar me dashuri për veten e shokët e tij luftëtarë, për familjen e të parët e tij me të cilët krenohet, do të gjeni të vërteta që pohojnë se luftëtarët nuk kanë patur asnjëherë armiqësi e konflikte mes tyre, ndërsa ata që i kanë qëndruar rrotull e okolla luftës kanë bërë fjalë e jo luftë e vazhdojnë të bëjnë fjalë lufte e ngatërresa.
Në këtë libër do të njiheni me betejën e ashpër me pritën serbe, të njësitit të komanduar nga Abdulla Shasivari, që hynë në Kosovë pa asnjë ushtar të humbur në mesnatën e 27 janarit 1999, falë heroizmit, aftësive profesionale dhe trimërisë së luftëtarëve që luftuan në këtë betejë: Abdulla Shasivari, Nehat Ibrahimi, Sami Elshani, Hamit Bajselmani, Arben Avdyli, Selmon Hoxha, Xhafer Shabani, Naim Leku, Faik Aliu, Ruzhdi Morina, Azem Krasniqi, Sokol Gashi, Dostan Gashi, Murtez Gashi, Hamzi Avdyli, Ergin Feta, Milazim Kiqina, Haxhi Karaqica dhe Rrahman Murseli.
Do të njiheni me Abdulla Shasivarin, oficer kariere profesionist, i shkolluar në Jugosllavi ku janë shkolluar gjithë njerzit që kanë jetuar në atë shtet, i cili në fillim verën e vitit 1998 dezerton nga shërbimi ushtarak në Kumanovë të Maqedonisë dhe rrjeshtohet në UÇK duke iu përgjigjë thirrjes së atdheut për luftë të armatosur.
Këto ditë që libri ishte në shtyp, ish kreu i shërbimit informativ të Shqipërisë në kohën e luftës për Kosovën, Fatos Klosi, thanë se ka deklaruar se nuk ka pasë ushtarë të FARK-ut…
Shok i SHIK-ut, që bën politikë të neveritshme përcarëse. Atëhere në kohën e luftës, në vjeshtë 1998, trupa ushtarake të FARK-ut në Kukës kanë qenë pesë herë më shumë se sa ka pasë Divizioni i Veriut në Kukës… Mos e harro…
Unë si deshmirar i asaj kohe, gazetar i Radio Kukësit, Radio Tiranës etj, dhe, për inat të enveristave të Kosovës, kam shkruar shumë herë se ka pasë UÇK dhe ka pasë FARK. Unë jam deshmitari, unë kam qëndruar me to, edhe me UÇK në Vlahën, Cahan, Kishaj, Kukës, Morinë, Uzina Mekanike, Bozhe… edhe me FARK, Kolsh, Kalimash, Shtrezë, Tropojë… dhe kam mijëra deshmi që nuk mund ti sigurojë për njëmijë vjet as Radio Kosova e lirë e robëruar me Enver Hoxhën…
Një ditë të bukur vjeshte 1998, pasi UÇK pësoi nga reprezaljet e Milosheviqit dhe u zhvendos më shumë në Shqipëri, i them komandantit të divizionit të Kukësit gjeneral Kudusi Lames, me të cilin ishim shumë miq dhe për punët e luftës së Kosovës atëhere ishim dy njerëz një mendje, që të gjente mundësinë të dhuronte disa raketa krahu për UÇK. Ishte vjedhë e shkatërruar divizioni i Kukësit në 1997, por hajdutat nuk i kishin gjetë gjithë skutat. Unë nuk i njihja armët, por ia përshkruaja me tamin gjeneralit.
Gjenerali më dëgjoi, tundte kokën, qeshte me mua, ndoshta donte por nuk guxonte ta bënte këtë gjë.
I thashë se unë e di, (ia futa kot), do të organizohen trupat e Kosovës që janë në Kolsh e Kalimash dhe do ta marrin me forcë armatimin që u duhet.
Budalla…, më quajti gjenerali, i cili besonte se unë kisha shumë kontakte e lidhje.
Gjeneral, ata kanë pesë herë më shumë trupa ushtarake se sa ka divizioni yt në Kukës…
Tani në librin e komandant Abdulla Shasivari gjej këtë histori që tregova. Rastësi e bukur.
Gjenerali thërret në mesnatë në një nga ato ditë komandantat Fuat Ramiqin, komandantin e Kolshit dhe Abdulla Shasivarin, komandantin e Kalimashit për “…fjalët që kishin dalë se trupat e Kosovës mund të sulmojnë divizionin e të marrin armatim”.
Abdulla Shasivari i raporton në atë takim mesnate në zyrën e gjeneral Lames dhe i thotë se trupat e Kosovës që janë në stërvitje në Kalimash, nga ky moment janë nën komandën tuaj zoti gjeneral… Dhe gjeneral Lame qetësohet e i rrjedhin lotë gëzimi…
Në librin “Betejat e mia” të komandant Abdulla Shasivarit mësohet se si ai i kërkoi këngëtarit të njohur kumanovas Ismet Bexhetit që t’ia dhuronte aparaturat e Radios për Radion Kosova e Lirë. Nuk besoj se Abdulla Shasivari dhe këngëtari Ismet Bexheti, që e nderonte deri në adhurim komandant Shasivarin, do të donin që Radio Kosova e lirë ti ngrinte sot hymne Enver Hoxhës e kriminelëve të dikaturës në Shqipëri e për rrjedhojë edhe MIladin Popoviqit e Dushan Mugoshës, udhëheqësve shpirtërore të Enver Hoxhës.
Në librin e komandant Abdulla Shasivarit bashkohen meritorët e luftës. Autori nuk pyet se kujt partie apo spektri i përkasin, mertitorët janë meritorë dhe duhen nderuar.
Aty gjejmë bashkë në një tryezë nderimi Lutfi Hazirin, kryetarin e Gjilanit, gjeneral Kudusi Lamen komandant i Divizionit të Kukësit, oficerin e lartë profesionist të Kosovës Ahmet Alishanin, shef i shtabit të FARK, Shefi i Shtabit të ZO të Pashtrikut, Nexhmedin Kastrati, Shefi i Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapi, deputetin e Kosovës z. Murat Hoxha.
E nisa për lajm e më doli më shumë se lajm për daljen në dritë të një libri të veçantë. Por meriton më shumë ky libër.
Urimët më të mira komandant Abdulla Shasivari.
Përshëndetjet më të përzemërta gjithë luftëtarëve të lirisë për të cilët flitet në këtë libër e të cilëve u kushtohet ky libër.
REXHEP SHAHU

Menu Title