.
×

Adriatik Kelmendi kujton shtëpinë e djegur në Pejë nga serbët, 20 vjet më parë gjatë luftës



Sot, më 11 maj, u bënë plot 20 vjet nga djegia e shtëpisë sonë familjare në Pejë. Në këtë fotografi, bërë nga gazetari amerikan Stephen Smith, jam në kulmin e shtëpisë së djegur, kurse në horizont shtrihen plot shtëpi të tjera, që të gjitha të djegura, pa kulme.
UNHCR-ja ka vlerësuar se janë 120 mijë shtëpi dhe prona të shqiptarëve të djegura ose të shkatërruara nga forcat serbe gjatë luftës. Për asnjë të vetme shteti serb nuk ka paguar dëmshpërblim.
Vuçiq e ka çuar botën peshë duke u ankuar për humbjet prej disa dhjetëra milionë eurosh shkaku i taksës, kurse kurrë s’ka dashur të dëgjojë për dhjetra miliardë euro dëme ndaj pronave të shqiptarëve.

* * *

Në vazhdim po e sjell një fragment nga një kolumne imja e botuar në qershor të vitit 2003, në KOHA Ditore:
VETËM TË NESËRMEN në mëngjes u nisa drejt Pejës. Bashkë me gazetaren Elisabeth Rubin dhe një kolege timen udhëtonim me një taksi. Njësoj edhe babai, nëna e vëllai ishin nisur drejt cakut të njëjtë nga ana tjetër, Ulqini, ku kishin qëndruar pas dëbimit nga shtëpia. Me shumë rezerva njerëzit më kishin treguar se edhe shtëpia jonë ishte djegur. Por jo shumë,
thoshin…
Më në fund qyteti na doli para sysh. Për këtë nuk na kishin gënjyer. Qyteti ishte shkatërruar
jashtëzakonisht shumë. Të vetmet shtëpi që ende qëndronin në këmbë ishin ato të serbëve, dhe aty këtu, e ndonjë shqiptari me fat. Gjithçka tjetër – shkrum.
Vetëm disa minuta më parë kishin mbërritur edhe familjarët e mi. E kishin parë shtëpinë. Vetëmse kësaj radhe na kishin gënjyer. Shtëpia – një ndër të bukurat e qytetit – ishte djegur tërësisht. E tëra që kishte shpëtuar ishte nja një metër katror parketi.
Prindërit nuk m’i ndanin sytë. Në ankth pritnin reagimin tim, në situatën kur gjithë ato gjësende materiale që dikur e përbënin jetën tonë, i takonin historisë. Fotografitë, koleksioni i librave, CD-të e gjithçka tjetër nuk ishte më. Përveç mureve të zharitur.
Reagimi im i vetëm ishte: qeshja! Më e rëndësishmja gjë në botë për mua në ato momente ishte që prindërit e mi të mos më shihnin të mërzitur. Ndonëse tash të më pyes dikush nuk do të di t’i them se ku e gjeja gjithë atë forcë.
Elisabeth dhe kolegia ime shumë kohë më vonë më treguan se në ato çaste iu isha dukur i shushatur, I luajtur. Kisha humbur gjithçka dhe qeshja! Çmenduri!
Mirëpo, në ato momente vlente një gjë: ishim gjallë, gjë që do të thoshte se i gjalli mbërrin të bëjë çdo gjë, si dhe ata që na e kishin shkaktuar këtë gjëmë nuk i shihnim më gjëkundi.