[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Alban Skënderaj dyshon se koronavirusi është përhapur edhe në Shqipëri



Koronavirusi është kthyer në kryefjalën e këtyre ditëve dhe në Shqipëri rreziku ka filluar të ndihet që në momentin e parë kur në shtetin fqinj, Itali, u shënua viktima e parë prej tij. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka raportuar orë pas ore për situatën në vendin tonë, duket se paniku dhe frika tek njerëzit ekziston ende.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se deri më tani nuk ka rezultuar askush i infektuar nga koronavirusi në Shqipëri, megjithatë ka nga ata që dyshojnë se virusi mund të ketë mbërritur në vendin tonë.

Një ndër ta është edhe këngëtari Alban Skënderaj, i cili përmes një statusi ditën e sotme është shprehur se dyshon se koronavirusi është përhapur edhe në vendin tonë. Ai thotë se ka parë shumë njerëz, duke përfshirë edhe veten, që ankohen për simptoma gripi në mënyrë të përsëritur dhe kjo mund të jetë e virusit. Megjithatë, për të mos përhapur panik, ai shton se kjo në fund është thjesht një teori e tij dhe nëse është e vërtetë mund të tregojë se koronavirusi nuk është aq i rrezikshëm sa thuhet.

Statusi i plotë i Alban Skënderaj në “Instastory”:

Nuk dua të trazoj njeri, por kam disa ditë që mendoj. Edhe pse jam totalisht inekspert në fushë dhe ndoshta është thjesht fantazi, por nuk e di pse kam ndjesinë se në Shqipëri koronavirusi pa u vërejtur është përhapur në masë tashmë.

 Shoh që njerëz (duke përfshirë edhe mua) të të gjitha moshave ankohen për simptoma gripi si rrallë herë më parë dhe në mënyrë të përsëritur. Me sa kam lexuar koronavirusi në shumicën e rasteve vjen pa simptoma, në raste të tjera me simptoma shumë të ngjashme me një rrufë, ftohmë, apo grip dhe në raste të rralla me komplikime.

Pra, nuk do të ishte çudi që nga Shqipëria të ketë shkuar në Itali, por patjetër dhe e kundërta. E vetmja gjë që rrëzon këtë teori është që nuk ka pasur asnjë rast të komplikuar në persona të moshuar ose të sëmurë rëndë. Pra, mund të jetë e vërtetë kjo e imja fantazi apo teori konspirative. Gjithsesi nëse do ishte e vërtetë të paktën do tregonte që ky virus nuk është kaq i rrezikshëm dhe i frikshëm sa të gjithë mendojmë.

Menu Title