.
×

Ambasada e Shqipërisë: Portet shqiptare do të jenë në shërbim të Kosovës‏



Pas informacionit që ka dalë në medie se porti i Shëngjinit i cili i ishte premtuar Kosovës, i është dhënë Kinës, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka mohuar këtë gjë.

Ambasadori Minxhozi për portalin veriu.info, thotë se portet shqiptare do të jenë në shërbim të mallrave që eksporton dhe importon Kosova. “Çdo që ka të bëjë me eksportet dhe importet që i nevojiten Kosovës, portet e Shqipërisë janë në gatishmëri të plotë për t’i shërbyer këtij vendi”, ka deklaruar ambasadori Minxhozi, duke mohuar lajmin që porti i Shëngjinit t’i jetë dhënë Kinës.

Madje, ambasadori thotë se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë sa më shumë mallra, për të eksportuar përmes porteve detare të Shqipërisë.

“Portet e Shqipërisë janë të hapura për të gjitha prodhimet, eksportet dhe importet që do të ketë nevojë Kosova. Ajo që është e rëndësishme, është që në këto porte të depozitohen sa më shumë mallra nga të gjitha rajonet e Kosovës që do të kenë nevojë të eksportohen. Kjo do të ishte një lajm shumë i mirë dhe kjo tashmë veç ka filluar të bëhet”, ka thënë ambasadori Minxhozi.