.
×

Avokati Kërveshi: Pse u mbajt sekret për një vit aktakuza për Fondin e 3%?



Për njohësin e çështjeve juridike dhe avokatin kosovar, Kujtim Kërveshi, është e pakuptimtë se si për rastin e ‘Fondit të 3 përqindëshit’, është ngritur aktakuzë vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit.

Kërveshi në një reagim në profilin e tij, ka adresuar kritika ndaj kësaj aktakuze, duke thënë shumë njerëz të tjerë Prokuroria “nuk i ka parë gjatë hetimit”

“Pa dashur të paragjykoj rastin e as të pandehurit, dy shqetësime themeltare duhet të shfaqen për secilin taksapagues sot e po ashtu për secilin që nga xhep i varfër ka ndarë para për fondin e 3 %. Një aktakuzë me vetëm tre të dyshuar? Hajde prokurori hajde, sa të tjerë nuk i keni ‘parë’ gjatë ‘hetimit”, ka shkruar Kërveshi, raporton Gazeta Express.

Sipas tij është i çuditshëm edhe fakti se pse kjo aktakuzë është ngritur para një viti dhe është mbajtur e fshehtë. Kërveshi pyet se çfarë ka pasur për t’u mbajtur sekret një gjë e tillë.

“Aktakuza është ngritur tash e një vit, janë mbajtur edhe seanca larg syrit të opinionin dhe shoqërisë civile? Çka është ky sekret?”, ka vazhduar ai.

Sipas Kërveshit me këtë sistem të drejtësisë, kosovarët jo që nuk meritojnë viza, por nuk meritojnë të dalin as përtej pragut të shtëpive të tyre .

“Ne jo që nuk meritojmë vizat, po as me dalë prej shtëpive me këtë sistem të drejtësisë! Të këtilla aktakuza ngritën për amnestim ligjor e jo për të ndjekur kryesit e veprave penale! Në fund, prap do të pyesim, ku mbeti fondi 3%”, ka përfunduar Kërveshi