.
×

Avokati: Shkumbin Mehmeti nuk është kredibil, është i dënuar 30 vjet për terrorizëm



Muhamet Halimi, ish-avokat i Florim Ejupit, tash mbrojtës i Faik Shaqirit,  i konsideron trillime, gjitha deklaratat e të dënuarit për terrorizëm Shkumbin Mehmeti rreth vrasjeve politike të pasluftës që ndodhen në Kosovë. Madje mendimin e tij e arsyetoi nëpërmjet një anekdote.

“Prej që ju ka kall bishti atij, u kall krejt dynjaja”, thotë Muhamet Halimi, kur pyetet për akuzat e një nate më parë që një i dënuar me mbi 30 vite burgim për një rast sulmi terrorist që kishte ndodhur në vitin 2004 ndaj pjesëtarëve të OSBE’së, bëri ndaj një ish-klienti të tij dhe një klienti aktual që e mbron në të njëjtin rast me Shkumbin Mehmetin.

 

Ky i fundit, në një intervistë për Klan Kosova, që u transmetua të enjten mbrëma,pretendoi se vrasjen e policës Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003, nuk e kreu i dënuari për këtë krim Bedri Krasniqi, por dy persona tjerë.

 

Të njëjtit, i dënuari tha se, si grup kriminal të organizuar për likuidimin e figurave politike të LDK’së, janë të përfshirë edhe në vrasjen e Tahir Zemajt dhe nipit të tij.

 

“Është dënu Bedri Krasniqi. E ka kry vrasjen Faik Shaqiri dhe Florim Ejupi”, tha Mehmeti, në intervistën e tij televizive nga burgu i sigurisë së lartë.

 

“Kam jap deklaratë në prokurori speciale për këtë”, pohoi tutje i dënuari për vrasjen e një polici të UNMIK’ut dhe një të Kosovës, në vitin 2004.

 

E për këto deklarata, thotë të jetë në dijeni që gati 10 vjet, avokati që mbrojti dy të apostrofuarit në përballjet e tyre me drejtësinë, për sulmin terrorist të 2004’ës.

 

Ai konfirmon që Mehmeti ka dhënë në prokurori deklaratë sa ish-klienti i tij Florim Ejupi dhe klienti aktual Faik Shaqiri ekzekutuan pjesëtarët e policisë nga Deçani.

 

“Ai njeri i trillon prej kokës së vet, pa u përputh me asnjë provë të vetme. Ku mundet gjykatë ose prokuror me u marrë me ni rast të tillë. Po mundohet që sa vjet. Por qato raste absolut nuk është tu mujtë me lidhë asnjë gjë të vetme me dëshminë e tij”, tha Halimi të premten për Gazetën Express.

 

“Mu po me vjen keq që janë duke u keqpërdorur ndjenjat e familjarëve që kanë përjetuar ndjenjën ma të keqe, humbjen e familjarëve. Ky rast është në hetim nga e EULEX’it që gati 10 vjet. Absolut nuk është kurrfarë risie se as organet e ndjekjes nuk janë marrë me këtë rast dhe me deklaratat e tij”, thotë avokati Halimi.

 

Madje ai thotë se fakti se Shkumbin Mehmeti është i dënuar me mbi 30 vite burgim për terrorizëm, i bën jo kredibile deklaratat e tij. Ndërkohë që ndaj Shaqirit ende nuk ka përfunduar gjykimi për të njëjtin krim, derisa ndaj Ejupit kishin pushuar hetimet vite më parë.

 

“Është një njeri i dënuar me 30 vjet burg, dhe nga kushtet e burgut ai po mundohet me përfitu diçka për veti në mënyrën më të rëndë që i prek ndjenjat e njerëzve”, konsideroi avokati i Faik Shaqirit.

 

“Përmendsh i di ato deklarata. Që 10 vjet jon ka sillen. Prej që ju ka kall bishti atij, u kall vrejt dynjaja”, thotë ai.

 

Shkumbin Mehmeti në intervistën e publikuar një natë më parë pretendoi se për vrasjen e policës Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklajt, që ishin duke hetuar vrasjen e Tahir Zemajt, grupi kriminal pjesë e së cilës thotë se ka qenë edhe vetë ai, kishin marrë mbështetje edhe nga vëllai i deputetit të AAK’së, Lahi Brahimaj, Nazmiu.

 

“Për vrajsen Ka marrë përkrahje të fortë nga vëllai i Lahi Brahimajt, Nazmi Brahimaj”, ka deklaruar Mehmeti në intervistë.

 

Për tu kryer ky ekzekutim, sipas tij, në vitin 2003 janë paguar 25 mijë euro nga një biznesmen kosovar që vepron në Europë, emrin e të cilit tha se nuk rrezikon ta thotë.