[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bajrami i kërkon Qeverisë që të vazhdojë masa e ndërprerjes së mësimit në shkolla



Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur mbrëmjen e 11 marsit, ishte marrë vendimi për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor deri më 27 mars, në të gjitha nivelet. Mbyllja e përkohshme e institucioneve arsimore ishte ndër masat e para të marra për parandalim të përhapjes së virusit COVID-19. Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë për Express se i ka propozuar Qeverisë vazhdimin e kësaj mase

Procesi mësimor në Kosovë, i cili fillimisht është ndërprerë deri më 27 mars, nuk pritet që të fillojë edhe pas kësaj date.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë për Gazetën Express se tashmë ka kërkuar nga Qeveria për vazhdimin e kësaj mase.

“Sot kemi bërë propozim-vendimin Qeverisë, për vazhdimin e masës deri në një vendim tjetër konfirm rekomandimeve të IKSHP”, ka thënë Bajrami.

E nxënësit të cilët po qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, megjithatë po i vazhdojnë mësimet aty ku i kanë lënë.

MASHTI ka krijuar platformën online “e-mësimi”, përmes së cilës po mbahet mësimi në distancë, i cili transmetohet në televizionin publik.

Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, çdo ditë mund t’i ndjekin mësimet online, në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, më 11 mars e ka shpallur pandemi virusin COVID-19, i cili është shpërndarë tashmë në tërë botën.

Qeveria e Kosovës u mblodh po atë ditë, në një takim të jashtëzakonshëm, për të ndërmarrë tashmë disa nga masat e para, si përkujdesje që virusi të mos shpërndahet edhe në vendin tonë.

Mbyllja e institucioneve arsimore ishte një ndër pikat kryesore të mbledhjes së Qeverisë. Aty u vendos që procesi edukativo0arsimor në të gjitha nivelet, të ndërprehet deri më 27 mars.

Ndërkaq më 13 mars në Kosovë u shënuan rastet e para të prekura me vurisn COVID-19.

Deri më tani, numri i të prekurve ka shkuar në 71, derisa edhe është shënuar viktima e parë nga koronavirusi.

Menu Title