[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bajrami jep një shpjegim për mesazhet që qytetarët morën sot



Botapress 12 Gusht – Qytetarë të shumtë pranuan së fundi nga dy-mesazhe, së pari se kanë pranuar 130 euro si asistencë mujore sipas masës 15 në kuadër të Pakos Emergjente, e më vonë një mesazh ku thuhej se ka qenë gabim teknik .

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami e cila sqaroi se ky gabim ka ndodhur pasi ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të saktë në ministri të Financave.

Me të dërguar mesazhet e para, ministria e Punës ka informuar ministrinë e Financave se ka dërguar listën e gabuar edhe më pas është dërguar mesazhi sqarues bashkë me kërkim falje, transmeton Indeksonline.

Bajrami kërkoi falje nga secili qytetar duke thënë se ka kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim.

Njoftimi i plotë:

Sqarim
Sot, disa qytetarë të Republikës së Kosovës kanë pranuar GABIMISHT një mesazh se janë përfitues të masës 15.

Ky GABIM ka ndodhur pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjegjëse për masën 15 të Pakos Emergjente, ka dërguar listën jo të SAKTË në Ministrinë e Financave. Pasi janë dërguar mesazhet telefonike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ka njoftuar se ka dërguar listën e gabuar. Menjëherë është përmirësuar ky gabim dhe secilit qytetar i është dërguar edhe mesazhi sqaruar dhe kërkim falja.

Edhe tash kërkoj falje secilit qytetar dhe ju njoftoj se kam kërkuar përgjegjësi hierarkike dhe politike për këtë lëshim. Do të ketë llogaridhënie prej secilit person të përfshirë në këtë rast. Kam kërkuar edhe përgjegjësi politike dhe për këtë problem është njoftuar edhe Kryeministri Hoti.

Për çfarëdo sqarimi tjetër mund të drejtoheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën ku jetoni.

Gabimet e tilla do t’i eliminojmë dhe do të vazhdojmë pagesën për të gjitha pikat e Pakos Emergjente.

Hykmete N. Bajrami

Menu Title