.
×

Blert Morinës i lejohet të ndërrojë emrin dhe gjininë në dokumente zyrtare



Blert Morinës, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dhënë të drejtë në ndërrimin e gjinisë në dokumentet e identifikimit.Vendimi i plotfuqishëm i kësaj gjykate u bë pas përgjigjes refuzuese që kishte marrë pala nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë dhe nga Agjencia e Regjistrit Civil, raporton KTV.

Atëkohë Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë që t’i ndërrohej emri nga Blerta në Blert dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore “F”, në shënuesin e gjinisë mashkullore “M”, por që ishte refuzuar nga kjo zyrë.

Pas refuzimit, Morina përmes avokatit kishte bërë padi duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor.
Në aktgjykimin fitues të Gjykatës thuhet se Drejtoria e Administratës së Përgjithshme e Komunës së Gjakovës, obligohet që paditësit t’ia bëjë korrigjimin e emrit personal nga Blerta në Blert dhe ndërrimin e shënuesit të gjinisë nga “F” në “M “ashtu që të evidencohet në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile.Derisa avokatja e këtij rasti,

Rina Kika, tregon arsyet në të cilat është bazuar Gjykata në marrjen e këtij vendimi, i cili është i dyti i tillë që jep të drejtë në ndërrimin e gjinisë në dokumentet e gjendjes civile.

Por padia e këtij rasti është aprovuar pjesërisht, pasi Gjykata nuk ka vendosur në favor të tyre për kompensimin e dëmit material dhe diskriminimit që i është bërë nga Agjencia e Regjistrit Civil.Paralelisht me këtë padi, Morina kishte parashtruar një kërkesë për shqyrtim të kushtetutshmërisë së vendimit refuzues të ARC-së në Gjykatën Kushtetuese, por që kjo e fundit e kishte hedhur poshtë me arsyetimin se duhet shterur mjetet e rregullta juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Këtë vendim të Gjykatës e ka mirëpritur komuniteti LGBTI , pjesëtarë të të cilit kanë thënë se ky komunitet mbetet më i diskriminuari në vend.