.
×

Bujanoc: Gjuha e Aliut dhe shpata e Sadiut!  



Shoqëria Civile “Perspektiva” e vlerëson të panevojshme, madje edhe të padobishme acarimin e fjalorit politik të liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, gjatë fushatës zgjedhore për Këshillat e Pakicave Kombëtare në Serbi.

Ajo që sot po ngjet me boshnjakët e Sanxhakut, nuk guxon me ndodh me shqiptarët në Luginë.

Nuk fitohen votat me veshje nacionale, qoftë edhe ushtarake e as me alarmin për rrezikun e identitetit kombëtar, duke u thirr, gjithnjë, në Referendum e Autonomi.

Zhurmëria propagandistike rreth zgjedhjeve për Këshillin Nacional, duke mos kursyer as zhargonin e rrugëve, nuk i kontribuon procesit zgjedhor dhe etikës njerëzore.

Lugina e Preshevës, për dallim nga Sanxhaku, ka kaluar nëpër disa procese sa të dhembshme aq edhe krenare, gjatë historisë, si Referendumi, lufta e UÇPMB-së, Marrëveshja Paqësore e Konçulit, platforma politike e Këshilltarëve shqiptarë etj. të cilat nuk bënë të keqpërdoren nëpër procese zgjedhore në emër të votës elektorale.

Liderët politikë të Luginës së Preshevës, kanë me se të lavdërohen, në këto 12 vjetet e pushtetit “multietnik” në Serbi, nëse kanë punuar me vepra e jo me llafe, për të mirën e shqiptarëve në: Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë!

Nuk janë pak 12 vjet pushtet e pushtetarët shqiptarë në nivel komunal e qendror, të vajtojnë për mungesë kompetencash e mos kenë me çka të krenohen, para elektoratit në zgjedhjet për Këshillin Nacional.

12 vjet pushtet lokal e 4 vjet pushtet “Nacional” e çështja e të drejtave të shqiptarëve, nuk ka shënuar përparim në fushën e arsimit, kulturës, informimit, simboleve kombëtare e zbatimit në praktikë të dygjuhësisë. E çuditshme, madje edhe absurde!

Nuk është logjike aspak, që këta liderë partiakë e institucionalë, të cilët deri dje kanë ecur krah për krah e dorë për dore, nëpër fushata zgjedhore, për pushtet, pozita autoritet, të kalojnë në ekstremitet, duke skërmitur dhëmbët e mprehur brirët karshi njëri-tjetrit, në kohën kur më shumë se kurrë duhet uniteti e bashkëpunimi ndërshqiptar.

Në këtë garë për pushtet “nacional”, liderët shqiptarë grinden për “vezë dhe e lënë pulën të ikë!”.

Beogradi, nuk merakoset për “gjuhën e Aliut”, meqë e ka në dorë “shpatën e Sadiut”, të cilë e përdorë sipas momentit dhe nevojës. Ata që janë mësuar të thithin e kë vështirë të ndahen nga qumështi i të mirave pushtetare, për të cilat janë në gjendje ta “djegin jorganin për një plesht! “.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, i porositë drejtuesit e pushteteve lokale dhe atyre republikane, të heqin dorë nga akuzat e ndërsjella ndërpartiake, ngase me to nuk i shërbejnë kulturës politike për një proces zgjedhor fer dhe demokratik. Më e ndershme është që këta liderë, të mos dalin fare në zgjedhje se sa t’i shfrytëzojnë ato për qëllime revanshizmi, hakmarrjeje dhe degradimi.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, pavarësisht qëndrimeve të stërgjatura për dalje apo mosdalje në zgjedhjet për Këshillin Nacional, ajo, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë proces të rëndësishëm zgjedhor, duke përpiluar edhe Listën e cila është në pritje të afateve kohore për dorëzim në Komisionin Zgjedhor Republikan, njofton Departamenti për Informim i Shoqërisë Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.