.
×

Bujar Muzhaqi: Gjashtë kolegët tanë të arrestuar, nuk janë deportuar në Turqi gjenden në një vend të fshehtë në Kosovë



Botapress, 30 Mars – Për arrestimin e gjashtë shtetasve turq sot nga policia e Kosovës, ka folur Bujar Muzhaqi, drejtori i Rrjetit të Shkollave Gyleniste.

 

“Sot ndodhi një ngjarje shokuese dhe e shëmtuar. Një pjesë e eprorëve e kolegëve të mi u arrestuan në mënyrë brutale. U ndërpre jeta familjare e ajo arsimore”, tha ai.

 

Muzhaqi ka thënë se arrestimi i tyre u bë në mënyrë të shpejtë dhe pa asnjë shpjegim, çka solli shumë frikë tek të gjithë.

 

“I pari ishte duke shkuar në punë. Iu ndërpre rruga nga një veturë e Policisë. Ai kundërshtoi, djalin e tij e tërhoqën me forcë nga makina. Drejtori i përgjithshëm më pas është interesuar se çka ka ndodhur, kështu është arrestuar edhe ai. 3 kolegët tjerë nga Gjakova u arrestuan në prani të nxënësve pa asnjë lloj shpjegimi”, shtoi ai, transmeton Koha.net.

 

Ai ka shtuar se zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë informatë se a janë deportuar gjashtë gylenistët, ndërsa ka thënë se sipas disa informatave të tyre besojnë se ata gjinden diku në një vend të fshehur në Kosovë.

 

“Mediet pro Erdoganit besoj se bënë festë. Ata janë të gëzuar me veprat e bëra të këtij diktatori”

 

Muzhaqi ka thënë se ka vite që këto shkolla në Kosovë janë në presion.

 

“Që kur nisi ftohja e pushtetit aktual dhe Gulenit, shkollat kanë qenë në presion për t’u mbyllur, sidomos pas përpjekjes së tentativës për puq”, tha ai.

 

Muzhaqi tha se ka kohë që është përfolur për arrestime por jo zyrtarisht, ka qenë një listë dhe përmban më shumë emra.

 

“Në mënyrë jo zyrtare, na është thënë “ju vazhdoni punën, nëse i përmbaheni ligjit ju s’keni asnjë problem”.

 

“Kështu na është thënë nga organet përkatëse dhe nga Ministria e Arsimit, sepse ne punojmë në kuadër të kësaj ministrie, jemi të licencuar para se Erdogani të vie në pushtet”, tha ai.

 

“Drejtoi ynë i përgjithshëm ka pasaportë shqiptare. Ka leje qëndrimi e pune”, tha ai e shtoi se janë persona se nuk janë akuzuar asnjëherë për asnjë vepër më të vogël penale.

 

Ai ka thënë se në shkolla nuk merren fare me politikë, por në shkolla ligjërojnë vetëm çka ka të bëjë me arsimin.

 

Për arrestimin e gjashtë turqve ai tha se “është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”.

 

“Ky është akt brutal, arrestim në pikë të ditës. Nuk është nevoja të na mbyllet goja, të tërhiqemi zvarrë, të goditemi. Për çka”, tha ai.

 

Ai ka thënë se ambasada turke ka vite që nuk i përfill të drejtat e gylenistëve.

 

“Kushdo qe identifikohet që ka lidhje me Gulenin është armik”, këtë e ka deklaruar edhe Erdogani.

 

Ai gjithashtu ka thënë se ndoshta ky veprim i sotëm ka qenë qëllim që të mbyllen këto shkolla, por ai deklaroi se do të vazhdojnë të mbajnë mësim.

 

Muzhaqi ka thënë se ata që kanë bërë këtë vepër dhe nëse gjashtë gylenistët janë deportuar në Turqi, “nuk e di se si do të flenë natën”.