.
×

Dardan Gashi i mori dy laptopë nga Qeveria, nuk i ktheu më(Dokument)



Insajderi ka zbuluar se zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi, për më shumë se tri vjet nuk i ka kthyer në Ministrinë e Mjedisit dy laptopë, të cilët ia kishte dhënë shteti në përdorim gjatë kohës sa e drejtonte këtë Ministri. Rasti i moskthimit të laptopëve nga zv/kryeministri i Qeverisë së Kosovës është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Historia skandaloze e ministrit Dardan Gashi me dy laptopë të Ministrisë së Mjedisit

Dardan Gashi kishe çuditur  publikun në maj të vitit 2014, kur në kohë fushate ishte zhytur deri në fyt për ta pastruar liqenin e Badovcit.

 

Ishte kandidat për deputet i AKR-së së Pacollit dhe synonte të dërgonte mesazhin se kishte kontribuar shumë si ministër i Mjedisit gjatë viteve 2011-2014. Nuk ia kishte dalë që t’i bindte votuesit.

 

Por, sa ishte i kujdesshëm si ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor tregon zhytja e tij në abuzimin me pajisjet në pronësi të kësaj Ministrie. Historia e Gashit me dy laptopë, pronë e kësaj Ministrie, ka zgjatur me vjet.

 

Insajderi ka zbuluar se zv/kryeministri, aktualisht edhe ministër i Diasporës, nuk i kishte kthyer këto pajisje edhe tri vjet pas përfundimit të mandatit si ministër i Mjedisit. Gashi i ka kthyer pajisjet në kohën kur Prokuroria Themelore e Prishtinës nisi hetime për rastin e moskthimit nga ai të pajisjeve në pronësi të shtetit.

 

 

 

 

Prokuroria heton “laptopët e Dardan Gashit”

 

Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e hetuar rastin e moskthimit të pajisjeve nga kabineti i ish-ministrit të Mjedisit, Dardan Gashi, tash ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike.

 

Për këto hetime Ministria e Mjedisit është informuar nëpërmjet një shkrese nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike. Kjo shkresë është dërguar në Ministri më 9 tetor të këtij viti.  Përveç laptopëve që Dardan Gashi nuk i ktheu në Ministri, janë duke u hetuar edhe nëntë çështje tjera. Prokuroria është duke verifikuar dhjetë konkludimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për shkelje ligjore të kryera gjatë vitit 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 

Në raportin e auditmit për vitin 2016 përmendet edhe moskthimi i pajisjeve nga ish-drejtuesit e Ministrisë, të cilëve u ka përfunduar mandati para dy vjetëve, më 2014. Insajderi ka siguruar shkresën e policisë dërguar Ministrisë së Mjedisit. Aty tregohet se kërkesa është bërë bazuar në urdhëresën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Po ashtu, i kërkohet zyrtarëve të Ministrisë që të dorëzojnë urgjentisht dosjet e kompletuara për keqpërdorimet e dyshuara.

 

“Ju bëjmë me dije se sipas kërkesës së prokurorit kjo çështje është vlerësuar si urgjente dhe është kërkuar që informatat dëshmitë e kërkuara si më lartë duhet të sigurohen në kohën sa më të shkurtër të mundshme”, thuhet në këtë shkresë.

 

Pika e dhjetë në të cilën është përfshirë ministri Gashi, është pjesë e raportimit të auditorëve, tek pjesa që tregon keqpërdorimet në përdorimin e pasurive të Ministrisë së Mjedisit. “Disa ish-zyrtarë të cilëve ju ka skaduar mandati nuk kishin kthyer pasurinë e Ministrisë me të cilën kanë qenë të ngarkuar (laptop dhe aparata digjital)”, theksohet në raportin e auditorëve.

Auditorët kanë konkluduar se veprimi i Dardan Gashit është i kundërligjshëm dhe dëmton pasurinë shtetërore.

 

“Mos kthimi dhe/apo përdorimi i pasurive të Ministrisë pa autorizimet relevante përbën shkelje të procedurave ligjore dhe rezulton me keqpërdorim respektivisht me dëmtim apo humbje të pasurive publike”, theksohet në raport. Ky raport me këto të gjetura është publikuar verën e këtij viti. Auditorët kanë kërkuar nga drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit që të iniciojnë procedurat administrative apo gjyqësore për pasuritë e pakthyera dhe të sigurohen që ato të kthehen deri më 1 tetor 2017.

 

 

 

 

Dardan Gashi mohon moskthimin e laptopëve, demantohet nga Ministria e Mjedisit

 

Por, Dardan Gashi ka kthyer laptopët disa ditë para se policia të dërgojë këtë shkresë në Ministri. Kthimi i pajisjeve nga Gashi është bërë në kohën kur veç kanë nisur hetimet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Ministri aktual i Diasporës, Dardan Gashi i kontaktuar nga Insajderi, ka mohuar historinë  e moskthimit të pajisjeve pas përfundimit të mandatit të tij.

 

“Unë kam pas 1 laptop dhe e kam kthyer”, ka thënë Gashi. Ka shtuar se Ministria e Mjedisit e ka sqaruar këtë çështje, por nuk ka treguar se para cilës instancë e kanë bërë këtë zyrtarët e kësaj Ministrie.

 

“Ministria e ka sqaruar që ka qenë çështje e raportimit të brendshëm. Unë laptopin e kam dorëzuar”, ka thënë Gashi.

 

Megjithatë, Zyra për Media jep version tjetër me atë të Gashit. Në përgjigjet e dhëna për Insajderin, kjo Ministri demanton deklarimin e Gashit, si për numrin e laptopëve e po ashtu edhe për çështjen e moskthimit të tyre. Ministria mohon versionin se e ka sqaruar para ndokujt se rasti i laptopëve të  Gashit ka qenë “çështje e raportimit të brendshëm”. Por e thotë krejtësisht të kundërtën.

 

Ministria e Mjedisit i ka konfirmuar Insajderi se Gashi i ka kthyer pajisjet tek më datën 20 shtator 2017, tri vjet e tre muaj pas përfundimit të mandatit të ministrit të Mjedisit. Sipas përgjigjes së kësaj Ministrie, Dardan Gashi ka qenë i ngarkuar me dy laptop.

 

Po ashtu, ish-këshilltarja e tij, Mrika Macula, ka qenë e ngarkuar me një laptop ndërsa me aparatin digjital ka qenë i ngarkuar ish-këshilltari i tij, Kreshnik Berisha.

 

“Datat e kthimit te pajisjeve nga Kabineti i Ministrit Dardan Gashi janë si me poshtë: Ish- Ministri, z.Dardan Gashi i ngarkuar me 2 Laptop ( i ka kthyer me 20.09.2017). Ish këshilltarja, znj. Mrika Macula e ngarkuar me 1 Laptop (e ka kthyer me 26.09.2017). Ish zëdhënësi, z. Kreshnik Berishaj i ngarkuar me 1 Aparat digjital (e ka kthyer me 17.12.2015 ndërsa unë Bajram Kadriu e kam pranuar me 27.12.2016)”, ka thënë për Insajderin Bajram Kadriu, zyrtar për informim në Ministrinë e Mjedisit.

 

 

Shtatori për Dardan Gashin ishte “muaj i teknologjisë”

 

Muaji shtatori i këtij viti duket se ishte shumë i ngarkuar për ministrin Dardan Gashi. Kishte marrë detyrën e zëvendëskryeministrit dhe  ministrit për Diasporë dhe Investime Strategjike.

 

Ardhja në këtë post nuk ishte për shkak të kontributit të tij në ndonjë subjekt që kishte garuar në zgjedhje.  Kontributi i tij u shfaq pas zgjedhjeve duke u angazhua si sekser i PAN-it për të siguruar votat e duhura për formimin e Qeverisë Haradinaj.

 

Por, përveç problemit me moskthimin e dy laptopëve në Ministrinë e Mjedisit, ministri Gashi kishte edhe një problem tjetër me pajisje të teknologjisë informative.

 

“Ministri Gashi, në momentin që ka ardhur pas dy ditëve ka kërkuar me ble telefon mobil diku në vlerë 1 mijë euro”, ka thënë sekretari i pezulluar i Ministrisë për Diasporë, Osman Shahini.

 

Gashi, që mori më 11 shtator detyrën e ministrit të Diasporës, e ka mohuar akuzën e Shahini. Ka deklaruar se arsyeja se pse ka kërkuar suspendimin e sekretarit të përgjithshëm nuk ka qenë “telefoni i shtrenjtë i 1 mijë eurove”.