.
×

Delawie: Politikanët të rrinë jashtë proceseve gjyqësore



Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, me rastin e përfundimit të mandatit të tij, ka porositur politikën kosovare që të qëndrojë jashtë proceseve gjyqësore duke thënë se pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës.

Në një pritje lamtumirëse të organizuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, diplomati amerikan tha se po largohet nga Kosova me ndjenja të përziera, por pret që në ardhmen të dëgjojë lajme të mira për Kosovën.

“Më duhet të them se kam ndjenja të përziera. Më vjen mirë që po shkoj në Kosovë, por më vjen keq që po shkoj nga Kosova… Politikanët të rrinë jashtë proceseve gjyqësore. Pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës…”, tha Delawie.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar rolin e Greg Delawie gjatë kohës sa shërbeu si diplomat amerikan në vendin tonë, duke punuar së bashku në progresin dhe sfidat e ndryshme me të cilat përballet vendi ynë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur rreth përvojës së tij së punës  me Greg Delawie gjatë kohës që ambasadori amerikan shërbeu në krye të misionit të SHBA-së në vendin tonë, duke thënë se ka bërë një punë të jashtëzakonshme në thellimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në gjuhën angleze theksoi se ambasadori Delawie ka bashkuar sonte të gjitha komunitetet në Kosovë, të cilat po marrin pjesë në pritjen e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.

Ndryshe, Greg Delawie nisi punën si ambasador në vitin 2015 u nominua nga ish-presidenti Barack Obama në vitin 2015 për ambasador të ri të SHBA në Kosovë.

Në vitet e para të shërbimit të tij në Departamentin e Shtetit, ai shërbeu në Ankara të Turqisë, në Frankfurt të Gjermanisë, dhe po ashtu detyrat të tjera të tij përfshijnë zyrtar në Uashington për Organizatën e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik. Ai po ashtu ka punuar në politikën e burimeve njerëzore dhe të sigurisë së aviacionit.

Prej vitit 1994 deri më 1996, Delawie ka qenë zëvendësshef në Divizionin për Tregti dhe Punë Bilaterale në Zyrën e Byrosë për Çështje Ekonomike dhe të Biznesit. Më pas ai shkoi në ambasadën amerikane në Romë, në cilësinë e këshilltarit për ekonomi. Pas kësaj, Delawie u kthye në Uashington ku punoi në Byronë e Burimeve Njerëzore dhe në qershor të vitit 2001 u emërua drejtor i zyrës për koordinimin e zyrës, post të cilin e mbajti deri në korrik të vitit 2003.

Delawie në gusht të vitit 2004, shkoi jashtë shtetit, ku mori postin e zëvendës shefit të misionit në Zagreb të Kroacisë. Në gusht të vitit 2007 ai u kthye në SHBA dhe mori postin e drejtorit të Byrosë për Çështje Bilaterale të Tregtisë pranë Zyrës së Byrosë për Çështje Ekonomike dhe të Biznesit si dhe drejtori i Politikave të tregtisë dhe programeve. Ai gjithashtu promovoi marrëveshjen e tregtisë së lirë me Korenë e Jugut, Kolumbinë dhe Panamanë.

Ndryshe, në vend të Delawie do të vijë Philip S. Kosnett, ambasadori i ri i SHBA-së në Prishtinë, i cili ka punuar si i ngarkuar me punë të përkohshme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara.  Ai ka shërbyer edhe si zëvendësshef i Misionit Amerikan në Uzbekistan dhe në Islandë.  Po ashtu, ai gjatë karrierës ka qenë i angazhuar edhe në pozita të ndryshme politike, politike-ushtarake dhe ekonomike-tregtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë e Japoni.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë ka qenë i angazhuar në zyrë të Departamentit të Shtetit për Evropë kundër terrorizmit, politiko-ushtarake, të Inteligjencës dhe Kërkimit.

Pasuesi i Greg Delawie në Prishtinë, është i diplomuar në Universitetin e Harvardit. Ai është nderuar me 10 çmime të Departamentit të Shtetit, ka marrë Medaljen e Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes për Shërbim Civil të Jashtëzakonshëm dhe Medaljen e Departamentit të Këmbësorisë për Shërbim Civil të Shkëlqyer.