[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Dëshmi tronditëse për privimin e 4 shqiptarëve nga serbët në vitin 1999



Botapress 19 Dhjetor – “Fytyrën dhe sytë e tij nuk do t’i harroj kurrë”. Ky ka qenë përshkrimi që ia ka bërë dëshmitarja Valbona Berisha, të akuzuarit Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Pejës. Valbona Berisha së cilës vëllai i ishte vrarë më 29 mars të 1999-s në Pejë, ka dhënë dëshminë e saj në gjykimin kundër Gjokiqit.

Ajo ka rrëfyer për ditën kur i akuzuari ia kishte marrë vëllaun, për ta vrarë më pas.

Por vetëm disa minuta më vonë, gjyqtari ka vendosur që mediave t’ua ndalojë xhirimin e vazhdimit të seancës, derisa ka ndaluar gjithashtu xhirimin e të akuzuarit Zoran Gjokiq.

Mes lotësh, Berisha, për disa orë gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria, ka identifikuar serbin si personin i cili ia kishte nxjerrë vëllaun me dhunë nga shtëpia, për ta dërguar në shtëpinë e komshinjve.
“Kanë hyrë në shtëpinë time, ai e ka kapur vëllaun për dore dhe e ka e futur në shtëpinë e komshinjve ku kam dëgjuar më pas disa krisma. Emrin e tij e kam dëgjuar pas tri orëve kur kam shkuar në shtëpinë e myslimanët aty kanë thënë se ka qenë Zorani. Më pas, kur jemi kthyer pas luftës, unë kam dhënë dëshminë time. Kam shkuar në Pejë, më ka ftuar policia, për ta identifikuar personin i cili e ka marrë vëllanë tim dhe ata persona që kanë qenë me të. M’i kanë treguar fotot. Mua, ajo fotografi para syve më ka ndenjur 20 vjet”, ka thënë dëshmitarja Valbona Berisha.

Në orët e pasdites, dëshminë e tij e ka edhe dëshmitari Shaban Kaliqani, i cili kishte parë vrasjen e 4 shqiptarë ditën e 29 marsit.

Gjatë dëshmisë së tij, edhe Kaliqani ka identifikuar të akuzuarin si personi i cili kishte qëlluar Bashkim Berishën dhe Skënder Zeqirin.

“Ma ka hi shuplakë dhe më tha cila është ushtria më e fortë dhe më e madhe. A është ushtria jonë më e forta? I thashë po. Më ka goditur me kondak në kokë dhe jam rrëzuar. Ma kanë futur kallashin në gojë dhe më ka thënë “paret nëse do me pshtu”. Pasi ia kam dhënë 100 … kam dalë te bashkëshortja me ia marrë edhe të tjerat dhe ia kam marrë gjithë arin që ka pasur. Derisa Skënder Zeqiri ka dalë me i marrë paret, ata e kanë goditur me një plumb Hilmi Zeqirin. Më pas e kanë qëlluar edhe njëherë dhe ai ka vdekur. Më pas, mua e Skënder Zeqirin na kanë dërguar në një oborr ku kishin qenë duke e mbajtur edhe Bashkim Berishën. Skënderin dhe Bashkimin i ka vrarë Zorani, të cilit më vonë ia kam mësuar emrin”, ka thënë Shaban Koliqi, dëshmitar.

Seanca është ndërprerë për të vazhduar në janar, derisa avokati i familjeve të dëmtuara Kujtim Kërveshi, thotë se janë edhe një sërë dëshmitarësh të cilët kishin parë me sytë e tyre të akuzuarin tek i kryente këto vrasje.

Zoran M. Gjokiq, i cili u arrestua në shkurt të këtij viti në pikën kufitare Jarinjë, akuzohet për krime lufte, raporton KTV.

Gjokiq akuzohet se në periudhën mars-prill 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup personash të nacionalitetit serb, të veshur me uniforma policore, paramilitare e ushtarake ka shkaktuar vuajtje të mëdha, aplikim të masave të frikësimit ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitje e një qyteti apo vendi, urdhërim për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk kanë të drejtë të marrin pjesë drejtpërdrejtë në konflikt.

Menu Title