.
×

Dokumentet e LSHP-së në ShBA i jepen Arkivit të Kosovës



Organizata Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte krijuar në SHBA më 1962

Në një ceremoni rasti në Bronx të New York-ut, përfaqësues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në SHBA i kanë dorëzuar dokumentet që përfshijnë një periudhë aktiviteti 52 vjeçar (1962-2014) Arkivit të Kosovës, duke e pasuruar atë me një dokumentacion të veprimit atdhetar të shqiptarëve në SHBA.

“Materialet që morëm nga Lidhja e Prizrenit, 18 kuti, janë një histori që e keni bërë ju dhe ne do ta përcjellim që ajo të dokumentohet”, tha Ramë Manaj, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, që kishte ardhur enkas për marrjen e dokumenteve.

Prof. Muhamet Shatri nga Ministria e Diasporës foli për iniciativën e sigurimit të dokumentacionit të veprimtarisë për Kosovën në shumë vende perëndimore, ato në Evropë dhe tani në SHBA.

Përfaqësuesi i Organizatës, Tomë Mrijaj, tha se Lidhja ‘vendosi, që Arkivin e saj shumëvjeçar t’ia dhurojë Arkivave të Kosovës në mënyrë që dokumentet historike, të jenë pronë e popullit.’

“Ne besojmë, se shkencëtarët e rinj të historisë, do të ruajnë dhe ofrojnë muzeve të shtetit të Kosovës ngjarje, data dhe përsonalitete, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare,” tha Mrijaj.

Dr. Gjon Buçaj kryetari i organizatës panshqiptare “Vatra” shfaqi vullnetin që materialet e Vatrës, sidomos ato që kanë të bëjnë me historinë e Kosovës, të jepen për skanim dhe fotokojim a digjitalizim, për të ruajtur kujtesën e veprimtarisë së kësaj organizate sidomos në dy-tre dekadat e fundit.

Ai i dha Manajt për Arkivin e Kosovës një fletë-dokument të  njohur si “Huaja Kombëtare” nga viti 1920, me të cilin materialisht ndihmohej shteti shqiptar nga mërgimtarët shqiptarë më Amerikë.

Organizata Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte krijuar në SHBA më 1962dhe për gjithë vitet e ekzistimit të saj u drejtua nga Ismet Berisha djali i dëshmorit Ukë Sadiku dhe nipi i veprimtarit dhe patriotit Sadik Rama.  /RTK