.
×

Donika Kadaj: Ka lojë e hile, por taksa s’duhet të lidhet me viza



Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se raporti i Këshillit të Ministrave të BE-së është raport preliminar dhe janë konkluzione ato që janë përmend, përfshirë (mos)liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Pavarësisht se në çfarë pozicioni jemi sot nuk duhet të ngutemi, sepse Kosova në marsin e vitit të kaluar e ka plotësuar edhe kushtin e fundit – demarkacionin. Do të angazhohemi që liberalizimi të ndodhë sivjet. Neve na takon t’i kryejmë detyrat e shtëpisë që kjo të ndodhë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

“Ka lojë e hile, vazhdimisht ka pas edhe nga BE sa i përket liberalizimit të vizave, janë shtuar kërkesat – është bërë lojë në mes të lojës. Taksa dhe Asociacioni nuk lidhen me viza. Të kërkohet sundim i ligjit dhe të kërkohet zbatimi i një marrëveshje antikushtetuese është diskrepancë”.

“Nuk ka shkëmbim [ të taksës me liberalizimin e vizave] dhe kritere shtesë që Kosova t’i pranojë. Kriteret për viza janë aprovuar. Vizat janë vonuar jo për shkak të Kosovës, por për shkak të BE-së. Është koha që Evropa të reflektojë”.

Deputetja Kadaj-Bujupi është shprehur në Info Magazine të Klan Kosovës se Kosova ende ka shumë punë për të bërë sa i përket sundimit të ligjit.

“Por kjo nuk lidhet me vizat. Është një lojë politike dhe përpjekje e agjendave të disave që Kosova të dorëzojë sovranitetin e saj në dialog. Nuk është mirë të jepet vlerësime të shpejta sepse nuk e kemi marrë ende raportin. Nuk duhet hapur dyert përpjekje të dëmshme që nuk janë aspak teknike, por lojë politike që të arriturat të minimizohen”.