.
×

Ekskluzive: Këta persona jo 170, por do ti marrin 200 euro pension të veteranit nga 1 dhjetori



Viktimat e dhunës seksuale të luftës do të marrin pensione prej 200 eurosh. Por, fillimisht, Komisioni për verifikimin e viktimave të luftës duhet të identifikojë numrin e tyre. Për punën e këtij Komisioni do të vendoset nesër në mbledhjen e radhës të Qeverisë Haradinaj. Deri më tani, sipas raporteve të qendrave që trajtojnë këtë kategori, numri zyrtar i viktimave të regjistruara të dhunës seksuale është rreth 1200.
Tetëmbëdhjetë vjet pas tmerrit që kishin përjetuar, shteti, më në fund, bëri një hap për përkrahjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, së paku financiarisht.

Qeveria Haradinaj ka vendosur që të ndajë mjete financiare për viktimat e dhunës seksuale. Sipas disa të dhënave jozyrtare, numri i përgjithshëm i viktimave të dhunës seksuale në Kosovë arrin në 20.000. Mirëpo, për arsye të ndryshme, shumica e viktimave refuzojnë të deklarohen dhe të kërkojnë ndihmën dhe përkrahjen që u takon.

Krejt e kundërta ka ndodhur me kategoritë e tjera. Për shembull, listat për verifikimin e veteranëve të luftës janë fryrë në mijëra sish. Derisa konsiderohej se numri i përgjithshëm i veteranëve sillej prej 5000 deri në 17. 000, në aplikimin për verifikim kishin aplikuar mbi 70.000, ndërsa janë verifikuar rreth 50.000. Me këtë cështje tani po merret Prokuroria e Shtetit e cila ka nisur hetime.

Sipas qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarave nga Tortura, janë rreth 1200 viktima të dhunës seksuale që janë regjistruar, ndërsa jo të gjitha do të aplikojnë për pensione. Disa prej tyre nuk e dëshirojnë të marrin këtë pension nga shteti.

Zyra për Informim e Qeverisë, i ka thënë Gazetës Express se qeveria tashmë ka hartuar propozim-vendimin për themelimin e Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, si dhe Sekretarin e këtij komisioni.

Ky vendim hyn në fuqi nesër në mbledhjen e 14’të, pas nënshkrimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Qeveria ka vendosur t’ua ndajë viktimave të dhunës seksuale nga 200 euro për muaj. Feride Rushiti, nga Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, ka treguar se fillimisht nga bisedimet me institucionet, kishin kërkuar që paga të jetë 250 euro.

“Ne fillimisht e kemi kërkuar që shuma të sillej rreth 250 euro për faktin se i kemi bërë një analizë dhe kemi gjetur një lloj mesatare, duke u bazuar tek invalidët e luftës, edhe pse kësaj kategoria nuk mund t’i matet invaliditeti”, ka thënë Feride Rushiti.

Ajo ka treguar se për tri javë kanë biseduar me Qeverinë, ku e kanë adresuar kërkesën së bashku me Ministrinë e Punëve dhe Mirëqenies Sociale.

Shuma e tërësishme që Qeveria do të ndajë për pensionet e viktimave, në vitin 2018, do të jetë një milion euro, ndërsa për vitet 2019-2021 do të ndahen nga 800 mijë euro.

Derisa të nisë punën Komisioni për verifikimin e viktimave nuk do të dihet se sa është numri i saktë i tyre. Por, nga të dhënat e katër qendrave të rehabilitimit të viktimave seksuale të luftës, Rushiti thotë se janë rreth 1200 gra të dhunuara gjatë luftës.

Ndërsa, nga pjesa që Qeveria planifikon të ndajë për këtë kategori, me një milionëshin e vitit 2018, për 12 muaj, do të mund të paguahen me 200 euro vetëm rreth 400 persona.