.
×

Eksperti i sigurisë tregon kur do të përfundoj procesi i krijimit të ushtrisë



Botapress 20 Tetor – Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, kalimin e tri projektligjeve për ushtrinë në Kuvendin e Kosovës e sheh si hap shumë pozitiv.

Sipas tij, transformimit të FSK-së në ushtri “dritën e gjelbër” ia ka dhënë Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Ne kemi bërë çmos që kjo çështje të rregullohet me ndryshime kushtetuese, mirëpo kjo gjë nuk ka qenë e mundur assesi. NATO-ja këtë gjë e di, mirëpo për të na kuptuar neve më së miri ka qenë Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili dha dritën e gjelbër që kjo çështje të ec para”, ka thënë Qehaja, për “Zëri”.

I tërë procesi i ushtrisë, sipas Qehajes, ndonëse ka ende shumë punë do të përfundojë deri në nëntorin e këtij viti.

“Mendoj që rreth 20 nëntorit të këtij viti do të ndodhë edhe leximi i dytë në Kuvendin e Kosovës dhe atëherë ligjet do të hyjnë në fuqi. Tashmë është hapur dera që ne të fillojmë ta ndërtojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës me kondita të reja. Pra edhe kjo sfidë do të kalohet në muajin e ardhshëm, kurse në vitet që na presin duhet të fillojmë me ndërtimin e kësaj force me detyra të reja”, ka thënë Qehaja.