.
×

Ekspozohen për herë të parë shtatë dorëshkrime të Pjetër Bogdanit



Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, është hapur një ekspozitë përkujtuese në nder të 330 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, ku për herë të parë janë paraqitur shtatë dorëshkrime të kësaj figure e cila u cilësua si jashtëzakonshme të historisë e kulturës shqiptare.

Drejtori i Bibliotekës kombëtare, Fazli Gajraku dha disa detaje rreth ekspozitës, duke vlerësuar lartë figurën e Bogdanit.

“Ekspozita Koneus përmban shtatë dorëshkrime të dhe për Pjetër Bogdanit, të panjohura më parë, të zbuluara në arkivin në Vatikan, nga njëri nga njohësit dhe hulumtuesit më të mirë të arkivave, Jetullah Destani, i cili  i ka dhuruar bibliotekës këto dorëshkrime“, tha ai.

Don Lush Gjergji në 330 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, tha se ai mbetet një figurë mjaft të rëndësishme për popullin tonë.

“Është viti i Bogdanit, të përkujtojmë këtë figurë madhore e cila ishte si udhërrëfuese dhe ndriçuese e shekullit 17-të. Deri më tash Bogdanin e kemi njohur më tepër si i autor i “Qetës së Profetëvë”, vepra e parë në prozë komplet në gjuhën shqipe dhe të përkthyer në gjuhën italishte, të komunikuar në mbarë botën dhe për të qenë i rëndësishëm për tre shekull si manual i rëndësishëm i universiteteve të ndryshme në Evropë dhe në botë”, tha ai.

Veprat e Bogdanit, sipas tij, ishin ndër burimet e vetme autoktone të asaj kohe.

“Përpos Bogdanit kemi pak burime të asaj kohe, burime autoktone burimore shqiptare, burimet tjera janë turke-otomane apo greke-sllave, dihet me qëndrime dhe këndvështrime shumë të ndryshme nga ajo çka mund të jetë nga realiteti”, tha ai.

Kurse, Jetullah Destani dha detaje se si ka gjetur dorëshkrimet e Bogdanit.

“Dosja ka qenë në një dosje që kanë të bëjnë me Venedikut. Kisha bërë disa përpjekje për të gjetur disa dokumente për shqiptarët e Venedikut. Aty e gjeta këtë dosjen që ka të bëjë me Bogdanin“, tha ai.

Gjithashtu në këtë ekspozitë u tha se është koha që autorët tanë të zbulojnë këtë periudhë dhe nëpërmjet saj edhe figurën e Bogdanit.