[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

EULEX-i ofron 82 mijë euro shpërblim për t’u gjetur autorët e vrasjes së një pjesëtari të vet 7 vjet më parë



 

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka kujtuar sot zyrtarin doganor të EULEX-it, Audrius Shenaviqius, i cili ishte vrarë shtatë vjet më parë. Shenaviqius, kujton EULEX-i, ishte qëlluar për vdekje nga persona të panjohur në pjesën veriore të Kosovës gjersa kishte qenë duke udhëtuar me veturë për në punë. Autorët e asaj vrasje ende nuk janë identifikuar.

EULEX-i i bën thirrje çdo personi që mund të ketë informata të cilat mund t’i dalin në ndihmë policisë që të paraqiten.

“Misioni ofron një shpërblim prej 82.000 euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e autorit (autorëve) të kësaj vrasje. Për detaje rreth raportimit të ndonjë informate lidhur me vrasjen e Audrius, ju lutem të kontaktoni +383 38 284 181”, njofton EULEX-it.

Tek përmendorja e tij ka shkuar edhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

“Sot ne qëndrojmë këtu në vendin ku kolegu ynë Audrius Shenaviqius nga Lituania ishte vrarë para plot shtatë viteve”, tha Wigemark. “Ky krim ende nuk është zbardhur. Përkundër hetimeve të gjata, fillimisht nga vet EULEX-i, vrasja vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Kur EULEX-i përfundoi mandatin e tij ekzekutiv në sektorin e drejtësisë në vitin 2018, lënda e këtij rasti të vrasjes është dorëzuar tek autoritetet prokuroriale të Kosovës. Ato tani janë duke e ndjekur rastin por ende pa rezultate”, tha tutje shefi i EULEX-it.

Sipas tij, kjo është arsyeja se përse i bën thirrje çdo personi që ka informata rreth këtij rasti, çdo personi që di ndonjë gjë për atë se çka ka ndodhur këtu shtatë vite më parë, që të del përpara dhe të shpjegojë atë që ka ndodhur.

“Anonimiteti juaj do të jetë i garantuar. Për informata që do të shpijnë në zgjidhjen e rastit po ashtu do të jepet edhe shpërblim financiar i konsiderueshëm. Por kjo nuk ka të bëjë me para, kjo ka të bëjë me drejtësi dhe një shembull tjetër i mosndëshkueshmërisë. Drejtësia nevojitet për familjen e viktimës, për të gjithë këtu në Kosovë, për rajonin, si dhe për Bashkimin Evropian”, tha ai.

Menu Title