.
×

Flamujt e origjinës së mallrave po “zhduken” në shumë dyqane



 

Shumë subjekte afariste në Kosovë nuk po e zbatojnë në masën e duhur udhëzimin administrativ që obligon operatorët ekonomikë që ta vendosin flamurin e origjinës së produktit nëpër dyqane, në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë. Për shkak të neglizhencës së zbatimit të këtij udhëzimi, vazhdon shqiptimi i gjobave nga Inspektorat i tregut.

Ky vendim ka hyrë në fuqi në muajin shkurt të këtij viti, pak kohë pas vendosjes së taksës doganore 100 për qind për të gjitha produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se po e monitorojnë zbatimin e këtij udhëzimi, por, sipas tyre, numri i vogël i inspektorëve në terren mund të ndikojë që operatorët ekonomikë të mos i përgjigjen gjithmonë udhëzimit.

Megjithatë, kryeinspektori i Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Inspektorati i tregut ka gjobitur rreth 150 biznese, të cilat nuk e kanë respektuar vendimin për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit.

Ai tregon se Inspektorati i kësaj ministrie ka vetëm 14 inspektorë, kurse për një monitorim të mirëfilltë të këtij udhëzimi, ai thotë se duhet të angazhohen edhe inspektorët komunalë.

“Aty ku vërehet se nuk kanë vendosur flamuj, gjoba lëshohet menjëherë prej 1000 eurosh. Inspektorati i sigurisë në kuadër të MTI-së, ka dhënë 74 gjoba, kurse Inspektorati i tregut ka gjobitur 72 subjekte. Pra, në përgjithësi janë shqiptuar 146 gjoba vetëm për mosvendosjen e flamujve të origjinës”, bën të ditur Syla.

Në bazë të udhëzimit, në rast se bizneset nuk e respektojnë udhëzimin administrativ, atëherë mund të pasojnë gjoba nga 1000 deri në 20 mijë euro. Nëse bizneset nuk kanë arritur të vendosin të gjithë flamujt, por vetëm pjesërisht, atëherë dënohen me 1000 euro. Por, nëse kanë anashkaluar komplet procesin e vendosjes së flamujve, atëherë lëndët do të procedohen në Gjykatat e Kosovës, ku dënimi mund të arrijë prej 5 deri 20 mijë euro.

Radio Evropa e Lirë ka evidentuar disa raste në qendra tregtare në Prishtinë, ku nuk figuron flamuri i origjinës pranë produktit përkatës.

 

Një gjë të tillë e pohojnë edhe disa qytetarë. Blerina Fejza, konsumatore në njërën nga dyqanet në kryeqytet, thotë se shpesh has në produkte pa flamuj të origjinës.

“Sa dola prej dyqanit dhe pashë se të gjitha produktet nuk i kanë flamujt e origjinës. Edhe pse më herët i kanë pasur më shumë, por tash kishte shumë mungesa”, thotë Blerina nga Prishtina.

Edhe udhëheqësi i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se përveç mosvendosjes së flamurit të origjinës afër mallit të ekspozuar për shitje, në shumë raste, flamuri i shtetit nuk përkon me origjinën e mallit në vitrinat e shitjes.

Mospërputhja e flamurit të shtetit me origjinën e produktit, sipas Kaçanikut, kryesisht ndodh kur kemi të bëjmë me prodhimet nga Serbia.

“Ato pak subjekte afariste që e respektojnë flamurin, kanë të bëjnë me një konflikt të natyrës tjetër, sepse e vendosnin flamurin të cilin u konvenonte. Ose është flamur i origjinës së importit, por nuk është flamur i origjinës së produktit. Në këtë mënyrë ata (afaristët/bizneset) e mashtrojnë, e vënë në lajthitje qytetarin konsumator dhe natyrisht se shkelet udhëzimi”, thotë Kaçaniku.

Udhëzimi administrativ për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit, pati hyrë në fuqi pak kohë pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Vendosja e taksës 100 për qind, vazhdon të jetë në fuqi. Qeveria në largim e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga ky vendim, edhe pas shumë kërkesave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin apo anulimin e kësaj takse.

Kurse, dy partitë politike, që aktualisht janë në bisedime për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 6 tetor dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia e dytë e dalë nga këto zgjedhje, kanë paralajmëruar se taksa doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës do të zëvendësohet me reciprocitet.