.
×

Fotografi me mesazh nga SHBA-të, Pompeo i merr afër vetes Pacollin e Daçiqin ?



Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar vazhdimisht rinisjen e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë diplomati amerikan, Philip Reeker, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se SHBA-të janë të gatshme që të përfshihen në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për këtë Reeker ka treguar se ka folur edhe me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeon.

E së SHBA-të dëshirojnë që të përfshihen në mënyrë direkte në dialog mbase e tregon edhe një fotografi familjare nga Ministerialin për Liritë Fetare të organizuar nga Shtete te Bashkuara të Amerikës.

Në këtë fotografi u është dhënë një pozitë e privilegjuar Kosovës dhe Serbisë, pasi që ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, janë fotografuar në të dy krahët e sekretarit Pompeo.

E duket se ky afrim i Kosovës dhe Serbisë nga SHBA-të nuk është i rastësishëm, kur shihen zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për ta rinisur dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Se Kosova është trajtuar në mënyrë të privilegjuar e ka pranuar edhe vetë ministri Pacolli në një shkrim në profilin e tij zyrtar.

Ai ka thënë se Kosova është përfaqësuar në mënyrë të privilegjuar në këtë organizim, duke treguar se e ka falënderuar sekretarin Pompeo për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës.

“Kosova përfaqësohet në mënyrë të privilegjuar në Ministerialin për Liritë Fetare. Arritjet tona janë të njohura gjerësisht. Falënderova Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo për mbështetjen e tij dhe atë amerikane ndaj Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë duke bërë përpjekje që ta rinisin edhe presidenti i Francës, Emauel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angel Merkel.

Në një intervistë për Gazetën Express, analisti serb, Dushan Jajniq, ka thënë se një gjë të tillë ata janë duke e bërë në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.