[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Gucati: VV’ja na premtoi ndihmë rreth zhbërjes së Speciales me ligj, kjo s’ndodhi



 

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja që ende nuk ka kthyer përgjigje rreth amendamenteve për Gjykatën Speciale.

“Të paktën tash që iu kemi drejtuar parlamentit të Kosovës, me një draft që kemi kërkuar të bëhet plotësim-ndryshim i ligjit, në mënyrë që të ndiqen edhe serbët për krimet në Kosovë. Ne kemi pasur kontakt me deputetët, me grupe parlamentare të ndryshme. Na kanë premtuar shumë dhe shpresoj se do ta fusin në rend dite”, ka thënë ai .

Gucati e ka theksuar sidomos bashkëpunimin e OVL të UÇK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. “Me të gjithë deputetët e AAK-së”, ka thënë ai. E ka përmendur edhe Nismën, ashtu si edhe “disa, jo të gjithë” deputetët e PDK-së. “Me LDK-në kam tentuar të bisedoj dhe jam thuajse në bisedime”, ka thënë ai. Ndërkohë, si ka thënë ai, me Vetëvendosjen nuk është biseduar fare “pasi që ata nuk kanë dashur”. Gucati ka thënë se për këtë gjë duhet pyetur vetë VV-në.

“Arsye s’na kanë dhënë… VV-ja e ka treguar veten. Kam pasur takim me Kurtin para fushatës dhe me Rexhep Selimin, si dhe një prej tyre që s’më kujtohet emri. Kam marrë premtime prej tyre se së paku në seancën e tretë do të futet në rend dite, por nuk gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se për këtë gjë “ka fakte”.

“Kam fakte që në zyren time kanë qenë Kurti dhe Selimi. Me kanë premtuar se do të shikohen të gjitha format për të ardhur tek shfuqizimi apo ndonjë plotësim-ndryshim ligji, gjë që nuk kanë ndodhur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nga Vetëvendosja ka pritur “që të paktën të thuhet jo”.

Menu Title