[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Hashim Thaçi në Podgoricë në 99 vjetorin e vrasjes së Isa Boletinit



Isa Boletini, atdhetari dhe njëri nga themeluesit e shtetit shqiptar, është ekzekutuar më 16 janar të vitit 1916 në Podgoricë nga forcat malazeze.

E pikërisht më 16 janar (e premte), zv/kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të nis vizitën zyrtare në Podgoricë, të parën në këtë cilësi, transmeton Indeksonline.

Vizita e shefit të diplomacisë kosovare në kryeqytetin malazez është përshkruar si e vështirë, duke pas parasysh se ka informacione se qarqet nacionaliste serbe kanë përgatitur antentat ndaj tij.

Po ashtu Thaçi nesër në Villa Gorica ku do t’i takojë krerët më të lartë të Mali të Zi do të pritet me protesta të serbëve, të cilët nuk mund ta durojnë dot një vizitë të tillë.

Si ndodhi vrasja e Boletinit

Në shtator të vitit 1914, Princi Vilhelm von Vied u detyrua të largohej nga Shqipëria. Isa Boletini me njerëzit e tij, si dhe Bajram Curri, pajtuan me qira dy anije italiane, të cilat i çuan drejt Shëngjinit. Pagesa ishte 150 napolona ar.

Pas kësaj, kosovarët të sfilitur nga ethet malarike dhe nga lufta e gjatë, bëjnë një përpjekje gati titanike për t’u kthyer në vendet e tyre, por u penguan nga trupat malazeze që ndihmoheshin edhe nga Ceno bej Kryeziu. Kosova ndërkohë kishte rënë nën pushtimin serbo-malazez. Për një periudhë të gjatë Boletini dhe njerëzit e tij u endën nëpër malet e Veriut mes Kosovës, Hasit dhe Pukës, duke i shpëtuar pritave që u ngrinin armiqtë. Në fund të 1915-s mbërrin në Shkodër. Ishte bashkë me tre djemtë e tij, dy nipa dhe 100 luftëtarë besnikë. Shkodra e asaj kohe i ngjante një rrëmuje të vërtetë. Këtu përziheshin bashkë ushtarë të huaj, disa malësorë që ishin gënjyer nga Mali i Zi, esadistë, ish-ministra të Vidit, aventurierë lloj-lloj. Në këtë kohë, Isai dergjet i sëmurë në hotel “Parruca”.

Pak ditë më vonë ushtria malazeze shtiu në dorë Shkodrën. Me këtë rast, Knjaz Nikolla fali të gjithë ata persona që kishin luftuar me armë kundër tij, vetëm se krerët duhej të internoheshin në Podgoricë. Aqif Pashë Elbasani, Prenk Bibë Doda, Hilë Mosi e të tjerë pësuan këtë fat. Mes tyre ishte edhe Isa Boletini, me 40 njerëz nga të tijtë, por këta fillimisht i vendosën në Nikshiç e më pas në Danillovgrad. Një përpjekje e francezëve për ta nxjerrë nga Shkodra kishte përfunduar pa rezultat.

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia. Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:

1. Isa Boletini, vjeç 51.
2. Halili, i biri, vjeç 24.
3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.
4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.
5. Halili, nipi, vjeç 24.
6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.
7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.
8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.

Menu Title