.
×

Haxhiu bën thirrje për rrëzim të qeverisë Haradinaj



 

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit ka bërë thirrje që të rrëzohet qeveria Haradinaj me një bashkim të votave nga pozita dhe opozita.

“Kjo qeveri duhet të largohet me votë. Këtë qeveri duhet ta ndalim dhe na duhet një përbashkim edhe i pozitës, edhe i opozitës”, ka thënë Haxhiu.

Kjo kërkesë erdhi pasi ajo numëroi disa nga skandalet e kryeministrit Haradinaj, duke përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli kushtetues vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave.

“Gjykata Kushtetuese na njoftuan që vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave ta shpallin kushtetues, nuk shkuan 24 orë qeveria u ngut që ta jetësoj atë vendim, kjo tregon që qeveria është qeveri e zhvatjes dhe abuzive me paranë publike”, tha Haxhiu.

Haxhiu më tej tha se në muajin shkurt të këtij viti kryeministri, shërbyeve civil iu rrit paga 4 për qind, por kundërshtoi rritjen e pagës minimale.

“Shtohet pyetja a është ndihmë sociale 90 euro në muaj, e kryeministri e merr 3 mijë euro. Të ardhurat e deklaruara nga kryeministri del se ai ka të ardhura 100 për qind më shumë se familjet me ndihmë sociale. Paga mesatare në Kosovë është pak më shumë se 400 euro, që i bie që kryeministri e merr 4 fish më shumë”, vazhdoi Haxhiu.

Ajo bëri edhe krahasime të pagave të kryeministrave të rajonit duke thënë se Haradinaj e ka pagën më të lartë në rajon.

“Kryeministri i Maqedonisë e ka 1300 euro, kryeministrja e Serbisë 1000 euro, Shqipëri 1700 euro, ndërsa kryeministri i Kosovës 3 mijë euro. Arsyetimi i kryeministrit se me paga të larta nuk ka korrupsion është banal”, tha Haxhiu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ia përmendi kryeminsitrit edhe skandalin e largimit me dhunë të zonjës nga foltorja në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.