[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Inspektorati kërkon të rikthehen në listën e pagave profesorët politikanë



​Inspektorati i Punës ka marrë vendim me të cilin e obligon Rektoratin e Universitetit të Prishtinës t’i rikthejë në listën e pagave 69 mësimdhënës dhe asistentë që kanë marrëdhënie primare pune jashtë Universitetit.

Inspektorati rekomandon që statusi i tyre të zgjidhet në përputhje me Udhëzimin Administrativ 2004/3 varësisht nga deklarimi i tyre për pagën primare dhe sekondare dhe i jep Universitetit 8 ditë që ta zbatoje vendimin, duke theksuar se, në të kundërtën, “do të merren masa përkatëse ligjore”.

Udhëzimi Administrativ 2003/4 për pagat e nëpunësve të Shërbimit Civil të cilit i referohet vendimi i Inspektoratit, në nenin 3 thotë: “Nëse një nëpunës civil është i angazhuar në më shumë se një vend të punës, pagën sekondare mund ta merr në lartësinë prej 50% të pagës së plotë që paguhet për atë vend pune (që do të llogaritet me 20 orë pune në javë më shumë se orari i plotë)”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ka marrë vendim që bartësit e funksioneve publike të mos marrin pagë sekondare në UP, por vetëm të paguhen për orët e mbajtura të mësimit.

Në sqarime publike të Rektoratit është thënë se këta profesorë mund të rikthehen me pagë të plotë me të përfunduar të mandateve që mbajnë jashtë Universitetit.

Heqjen e këtyre profesorëve nga lista e pagave me faktin se ata nuk mund të kontribuojnë në procesin mësimor me gjysmë orari, pasi këtë nuk ua lejojnë angazhimet aktuale që kanë në postin e tyre publik.

Vendimi i Inspektoratit është marrë në afat rekord, pas inspektimit të kryer një ditë më parë.

Nëse do të zbatohet ky vendim i Inspektoratit të Punës do të përfitojnë 69 mësimdhënës të UP që mbajnë poste jashtë këtij institucioni, në mesin e tyre kryeministri Isa Mustafa dhe 9 nga 21 ministrat e kabinetit të tij.

Po ashtu, do të përfitojë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani dhe 5 deputetë të Kuvendit të Kosovës, në mesin e tyre edhe nënkryetari, Sabri Hamiti.

Pastaj, do të përfitojë kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, rektorët dhe prorektorët e katër universiteteve të tjera publike, drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Menu Title