.
×

Ish-ministri Hasani dhe 3 zyrtarë të Nismës kalojnë në AAK – tash merret vesh për çka u kapën dy partitë



Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, pak ditë pasi që ishte larguar nga partia e Nismës ka vendosur të i bashkohet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, dhe njëherit kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj nëpërmes një postimi në faqen e tij në Facebook.

Pos Hasanit partisë i janë bashkuar edhe asambleistja në komunën e Gjilanit Anila Tusha-Kastrati, ekonomisti Abdyl Brestovci si dhe stomatologu Burhan Arifi, të gjithë ish antarë të Nismës.

“Interesimi për t’iu bashkuar vizionit të AAK-së për shtetin e fortë, është i jashtëzakonshëm dhe kjo na inkurajon që të punojmë pandalshëm në shërbim të vendit”, ka shkruar Haradinaj rreth këtyre afrimeve.

Ditëve të kaluara ka pasur përplasje mes deputetëve të këtyre partive.

Një deklaratë e Muharrem Nitajt në një debat televiziv ku tha se çarshia po flet për rikthimin e Fatmir Limajt në PDK, ka bërë që Nisma Socialdemokrate të reagojë vrullshëm me të zgjedhurit e saj.

Haxhi Shala i Nismës e quajti Nitajn zëdhënës të shpifësve dhe mashtruesve.

Nitaj u ka thënë kolegëve të Nismës se po të ishte në vendin e tyre do të kishte kërkuar falje.

“Nuk është mirë që fjalët të nxirren nga konteksti por mendimi i shpërfaqur duhet të thuhet e të lexohet i plotë dhe brenda logjikës”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, e ka quajtur deputetin e AAK-së, Muharrem Nitaj, zëdhënës të shpifësve dhe mashtruesve.

Reagimi i deputetit Shala vjen pas deklaratës së deputetit të AAK-së se po flitet që kryetari i Nismës Socialdemokrate do të kthehet në PDK.

Shala, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Nitaj sonte na tregoi se edhe në TV edhe në parlament, kur flet, si argument dhe bazë e fjalimeve të tij janë fjalët e çarshisë ose me thënë më shqip thashethemet, e bëhet zëdhënës i shpifësve e mashtruesve”.