.
×

Jakup Krasniqi: Unë e shpalla Pavarësinë, Thaçi vetëm e lexoi deklaratën!



Botapress, 17 Shkurt – Tre netët e fundit para shpalljes së pavarësisë, presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, kishte pritur thuajse mëngjesin në zyrë, duke nënshkruar dokumente si kërkesa për njohje që do t’u adresoheshin vendeve të botës. Krahas kësaj, diskutimet e brendshme ishin të mëdha, se kush do të ishte njeriu i cili do ta lexonte deklaratën e shpalljes së pavarësisë. Kryetarit të Kuvendit atëkohë, Jakup Krasniqi, ndërkombëtarët i kishin kërkuar që njeriu që do ta lexonte deklaratën të ishte kryeministri, Hashim Thaçi. Por, Kransiqi, që thotë se ka pasur pak rëndësi se kush e lexoi deklaratën, e konsideron veten si njeriu që shpalli pavarësinë, raporton KTV. “Pasi është votuar deklarata, unë kam dalë në foltore, dhe kam dhënë rezultatin e votimit. Dhe, si akt i shpalljes së Pavarësisë, do të duhej të merrej ai moment, pas votimit të deklaratës. Dhe jo leximi i deklaratës”. Njeriu i parë që nënshkroi aktin e pavarësisë, presidenti Fatmir Sejdiu, thotë se 17 shkurti i 2008-s do të mbetet si dita më e rëndësishme në jetën e tij. Sikurse Krasniqi, edhe Sejdiu thotë se Hashim Thaçi veç e ka lexuar një deklaratë që nënkupton shprehje të vullnetit të popullit, por përgjegjësia kryesore ishte e deputetëve që votuan. 11 vjet pas, Sejdiu thotë se askush nuk mund të ketë mandat të diskutojë për integritetin e sovranitetin, askush në institucione, sipas tij, nuk mund ta ketë fuqinë të kapërcejë Kushtetutën. Sejdiu ka thënë se Kosova duhet ta ruajë partneritetin me ata që na ndihmuan qysh në ditët e hershme. Ndërsa, ish-kreu i Kuvendit, Krasniqi, thotë se loja me kufij është e rrezikshme. Ai tha thotë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të duhej të ndodhte me këta kufij me të cilët Kosova është shpallur shtet 11 më parë.