.
×

James Rubin ia bëri të qartë Hashim Thaçit: Krahu i luftës të pensionohet nga politika sa nuk është bërë vonë!



 

Vizita e fundit e Presidentit Thaçi në Kanada nuk kaloi ashtu si vizitat e tjera pasi që menjëherë pas kësaj mediet kanadeze u sulen me shkrime dhe një mori akuzash ndaj të parit të shtetit.

Një nga shkrimet e bëra paraqiten disa vepra dhe akuza të ngritura kundër Presidentit të Kosovës, e po ashtu vizitën e tij e kanë cilësuar si ofendim ndaj shtetit të Kanadasë. Këto lajme vijnë në kohën kur Gjykata Speciale ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzave për mbi 60 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizatë në të cilën Hashim Thaçi ka shërbyer si udhëheqës politik.

“E thënë thjesht, Hashim Thaçi është i akuzuar si kriminel dhe bandit. Në vitin 1993, kur ishte në mesin e të 20-ave, Thaçi ishte bërë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila në mesin e viteve 1990 u cilësua nga Shtetet e Bashkuara si një organizatë terroriste”, shkruan Taylor në editorialin e tij, të publikuar në “The Hill Times” më 6 dhjetor, dy javë pas përfundimit të vizitës së Thaçit në Kanada

Deputeti nga partia NISMA për Kosovën, Milaim Zeka për InfoPress ka thënë se presidenti i tanishëm nuk është figura adekuate për përfaqësimin jashtë të Kosovës pasi që një figurë e tillë nuk i bënë mirë Kosovës.

“I vetmi përfaqësim i dinjitetshëm jashtë territorit të Kosovës nga krejt figurat tona politike ka qenë ish presidentja, Atifete Jahjaga. Unë në mënyrë absolute nuk kam qenë që presidentja të zgjidhet me zarf, por Hashim Thaçi me krejt kompaninë e vet me Kadri Veslin me Ramushin me gjithë akteret politik me Isa Mustafen e Behgjet Pacollin e sollën situatën që me na sjell neve presidenten që tallet me ne të tjetrët, që të tjerët me thënë këqyre ju jeni një popull i mjerë, ju jeni mjerana politik, ju jeni dilingji, ju jeni faqezi dhe ju nuk meritoni më shumë se sa me pas vendi presidente një ish police. Figura e Hashim Thaçit do të kishte kuptim me fol për të në skenën politike bashkë me shumë figura tjera sikurse ta dëgjonin këshillën njerëzore e dinjitoze të James Rubin, kur erdhi dhe ua dha porosinë krahut politik të luftës, duke u thënë pensionohuni shkoni në shtëpitë e juaj me gjysmë fytyre. Këta njerëz sikur të ishin largu nga skena politike sot bota nuk ish marr me ta, prandaj një figurë e tillë nuk i ka bërë dhe nuk i bënë nder Kosovës”, ka thënë Zeka për InfoPress.

Ndërsa, analisti Haki Abazi mungesën e urimeve të zgjedhjes si president dhe vizitat e rralla në vendet perëndimore, mungesën e pritjeve protokollare e quan si rezultat i vjedhjeve industriale të votave që nga viti 2010.

“Nga mungesa e progresit, mungesa e urimeve për zgjedhjen si president, izolimit total, vizitave të rrallë e pothuaj asnjë të krerëve të shtetit në vendet tjera dhe mungesa e pritjeve protokollare të zyrtareve edhe nga vendet që kanë njohur Kosovën janë indikacione të mjaftueshme që Kosovës i është shpallur një embargo e pashpallur publikisht dhe zyrtareve i është ngushtuar rrethi pikërisht për shkakun se konsiderohen se kanë manipuluar sistemin zgjedhor dhe janë rezultat i vjedhjeve industriale të votave që nga viti 2010. Kosova nuk është ishulli vetmuar dhe si një shtet i përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare gjithashtu është monitoruar afër nga ambasadat, gazetaret dhe raportet ndërkombëtare përfshirë edhe shërbime të inteligjencës që veprojnë përbrenda shteti të Kosovës”, mendon ai.

Tutje Abazi shtoi se artikujt e këtyre gazetave ndërkombëtare vijnë si rezultat i vet pranimit të Gjykatës Speciale.

“Si rezultat unë i shoh edhe artikujt e gazetave ndërkombëtare, por gjithashtu edhe vet pranimi i procesit të gjykatës speciale dhe themelimi i saj ka bërë që dyshimet të ngritën në nivelin që janë. Është në dorën dhe përgjegjësin e institucioneve për të mbrojtur legjitimitetin dhe kredibilitetin e shtetit dhe të mos lidhet as lufta e UÇK-së as përpjekjet për liri e pavarësi me çfarëdo akuze apo edhe fajësi që individët mund të kenë apo që ndokush nga këta individ kanë shfrytëzuar emrin e luftës së UÇK-së dhe proceset tjera për interesa personale. Unë mendoj që fjalori dhe gjuha që përdoret është shumë e rëndësishme dhe nuk janë këta persona ish ushtare apo udhëheqës të UÇK-së por janë individ të dyshuar dhe në asnjë mënyre nuk duhet lidhur identiteti dhe misioni i UÇK-së me individët kushdo që janë ata”, ka thënë Abazi .