.
×

Janjiq: Ndoshta Thaçi nuk i ka parë, por amerikanët ishin në Samitin e Berlinit



Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas përfundimit të Samitit të Berlinit, kishte thënë se është ndjerë i shokuar kur kishte marrë vesh se për një organizim të tillë të Francës dhe Gjermanisë nuk ishin njoftuar dhe nuk kishte pasur koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për një deklarime të tillë Thaçin e kishin demantuar nga qeveria e kancelares Merkel, duke thënë se ata janë në koordinim të ngushte dhe konstant me SHBA-të për organizimet rreth dialogut.

Ndërkohë në një intervistë për Gazetën Express, analisti serb dhe drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dushan Janjiq, ka thënë se SHBA-të janë të përfshira gjithmonë në të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me dialogun Prishtinë-Beograd.

Ai thotë që amerikanët kanë qenë prezent në Samitin e Berlinit, por që Thaçi mund të mos i ketë parë.

“Siç e di SHBA-ja e ka problem që të ketë një kompromis në mes të presidentit, Kongresit dhe State Departamentit, por në fund Kongresi dhe State Departament janë shumë të koordinuar dhe janë të mirë informuar për Berlinin. Ndoshta Hashimi nuk i ka parë, por ata ishin atje.”, ka thënë Janjiq.

Përveç tjerash Janjiq ka thënë se Amerika ka qenë gjithmonë e involvuar në procesin e dialogut, por që tash së fundi kanë vendosur që të përfshihen në mënyrë direkte dhe sipas tij kjo është një gjë e mirë.

“Ata kanë qenë të involvuar gjithmonë. Por, më në fund ata kanë vendosur që të përfshihen në mënyrë direkte dhe është një gjë e mirë”, ka shtuar Jajnjiq.

Analisti serb ka parashikuar që një takim i radhës në Paris do të mund të ndodh në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor, dhe thotë se gjatë kësaj kohe mund të ketë edhe një vendim për suspendim të taksës.