[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Jusuf Buxhovi: Beteja e Dytë e Kosovës nuk ishte tjetër pos një disfatë e pritur e Hunijadit…



Edhe pse Beteja e Kosovës e vitit 1389 për shumëçka mbetet e pasqaruar dhe pjesë e një miti historik të shekullit XIX , që u riaktivizua për qëllime politik të hegjemonizmit serb për t’ia krijuar platformën e paqenë historike shtetit serb të pranuar në kongresin e Berlin, megjithatë, ajo e vitit 1448 që ngjau midis forcave katolike të drejtuar nga Hunijadi dhe atyre osmane nga Mehemti II, nuk mund të thuhet se ishte as historike e as vendimtare për fatin e Europës në luftë kundër Osmanëve. Përkundrazi, po qe se shikohen raportet e forcave që prodhoi fushata ushtarake e Mehmetit të II në planin ushtarak në pjesën evropiane kur pas betejesë së Varnës (1444), me përjashtim të rezistencës së Skënderbeut në Shqipëri, i ishin hapur dyert për depërtime të reja në gjithë Ilirikun për të shkuar tutje kah veriu, përpjekjet e Huniadit për të organizuar ndonjë kryqëzatë të re të krishterë mbeteshin vetëm një orvatje strategjike e vendeve katolike të Europës që me anën e “betejave” të shkëputura të fitonin paksa kohë drejt gjetjes së një kundërpërgjigje (diplomatike ose politike) që mund t’u jipej osmanëve pasi që të kenë marrë bastion e fundit të krishterimit, Konstandinopojën e rrethuar që pas pesë vitesh do të bjerë përfundimisht në duart e osmanëve. Në këtë prizëm duhet parë edhe luftën që bënte Skënderbeu në Shqipëri, pasçka se ajo, në planin ushtarak fitoi një dimension tejtër dhe, mbase do të mund të kthehej në një front të ri antiosman, po qe se për këtë do të ishin të interesuara vendet katolike të Europës, të cilat, siç do të shihet, në përputhje me interesat e tyre të ngushta (të Vendedikut në radhë të parë), në vend të luftës së përbashkët, duke shfrytëzuar kryengritjet e shkapërderdhura të feudalëve të Ilirkut, lidhnin aleanca të fshehura me osmanët. Kjo sjellje kishte të bënte me përcaktimin e njohur në njërën anë të vasaliteteve të feudalëve të krishterë me osmanët dhe interesat e tyre që t’i ruanin pronat e tyre ose edhe t’i shtonin dhe, në tjetrën anë, të kishës ortodokse që osmanët t’i shikonte si aleatë në luftë kundër katolicizmit, strategji kjo që do të dalë në pah pas rënies së Kostandinopojës kur Kisha Ortodokse do të lidhë utoqefalinë e saj me Perandorinë Osmane, ku jo vetëm ruajti pozicionet e saj, por, si dihet, fitoi edhe privilegje në qeverisjen vendore nga Porta e Lartë. Në këto rrethana, veprimet e Huniadit për një aleancë të re kudnër osmanëve, ishin të dështuara, edhe pse një kohë të gjatë do të kremtohen si ngjarje historike që po “të mos ishte tradhtia e Brankoviqëve” edhe do të mund të arrihej!
Natyrisht se këto kundrime janë më shumë pjesë e opinioneve politike se sa fakte shkencore, ngaqë osmanët tashmë ia kishin dalë që të krishterët ortodoks të Ilirikut t’i fusin në kuadër të sistemit të tyre perandorak, ndërsa me vendet e caktuara katolike (sidomos Venedikun) të lidhnin aleanca të caktuara, që kishin edhe bekimin e Papatit, nga fakti i vetëm se vendet katolike ushtarakisht asokohe nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë osmanëve. Natyrisht, se historiografia shqitare, luftën e dytë të Kosovës duhet ta rivlerësojë në përputhje me rrethanat e kohës, pra si përpjekje dëshpruese të Huniadit dhe assesi prej saj të krijojë një mit të ri që do të rivalizonte me atë serb për betejën e vitit 1389.

Menu Title