.
×

Jusuf Buxhovi: Ndërlidhja e publicistikës me diplomaci



Jusuf Buxhovi në llogarin e tij në facebook ka publikuar këtë shkrim:

*Avni Spahiu: “Misioni i parë – shënime të një ambasadori në Uashington”, botoi “Koha”, Prishtinë 2019.

Të rrallë janë ata publicistë, që punën e tyre në një vend të huaj ia dalin ta ndërlidhin me karrierën diplomatike në një metropolë botërore. Ndër ata që kishin këtë fat, gjithsesi dallohen dy: Faik Konica, si diplomat i mbretërisë së Shqipërisë në fundvitet e tridhjeta, dhe Avni Spahiu, diplomat i parë i Kosovës në SHBA në vitin 2008, pasi që Kosova ta ketë shpallur pavarësinë.

Ndonëse karriera diplomatik e Konicës në SHBA do të përfundojë thuajse tragjikisht pas aneksimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, me ç’rast atij do t’i merret edhe imuniteti diplomatik dhe posti, megjithatë, ai la gjurmë të thella në raportet shqiptaro-amerikane të kohës, që edhe sot e gjithëditën përçojnë me impulse pozitive këto marrëdhënie, nga shkaku se ato ishin pjellë e një përkushtimi thuajse idealist për nxjerrjen në pah të rëndësisë civilizuese të vlerave kulturore dhe historike të një populli që vinte nga antikiteti, por që rrjedhat kohore dhe historike (pushtimet e gjata si dhe interesat e ndryshe gjeopolitike) e kishin sjellë buzë harresës, pra të përjashtimit nga harta e shteteve që po riformohen në pjesën evropiane pas rrënimit të Perandorisë Osmane.

Avni Spahiu, si diplomat i parë i Kosovës në SHBA, thuajse kaloi nëpër të njëjtat rrugë (nëpërmes publicistikës si korrespondent i gazetës “Rilindjas” në Nju Jork në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar) deri te ngjitja e tij në karrierën e diplomatit në SHBA, me të vetmin ndryshim se Spahiu ishte diplomati i parë i shtetit të Kosovës që nuk duhej të druhej për karrierën e tij, siç i ndodhi Konicës. Përkundrazi, Spahiu si diplomat i Kosovës në metropolin më të fuqishme botërore, në rrethanat e reja, reinkarnonte politikisht mbështetjen e SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës si projekt i Perëndimit, ku roli i këtij shteti ishte vendimtar thuajse në të gjitha fazat: nga ato kur duhej që Kosova dhe kërkesat e saj për liri, demokraci dhe pavarësi, në fundvitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar të mbështetej ndërkombëtarisht, marrja nën mbrojtje nga agresioni i Millosheviqit, fushata e bombardimeve e deri te përmbyllja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Natyrisht se libri i Spahiut “Misioni i parë”, që doli këto ditë nga shtypi, nuk mund të ishte tjetër, pos një evakuim i ndërlidhjes fatlume midis publicistikës dhe diplomacisë, ku e para ishte në shërbim të së dytës, ndërsa e dyta si kurorëzim i logjikshëm i një rrugëtimi që kthehet në mision jetësor. Qysh në Prolog, Spahiu bën të ditur se “gazetari plotëson diplomacinë dhe përbënë një përvojë të dobishme për diplomatin e ardhshëm”. Dhe, diplomati i ardhshëm i Kosovës në SHBA, nuk ishte as i rastit e as jashtë funksionit. Përkundrazi, ai inkorporoi dijen profesionale me përkushtimin që ato t’i vejë në shërbim të një kauze, çfarë ishte ajo nëpër të cilën po kalonte Kosova nga fundi i viteve të tetëdhjeta dhe ato të nëntëdhjeta, pra të organizimit të rezistencës kombëtare, që çoi edhe te ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës e deri te ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare në dobi të këtij përcaktimi, që për uverturë pat protektoratin tetëvjeçar ndërkombëtar si parakusht të pavarësisë.

I bindur se libri “Misioni i parë” duhet të paraqesë evoluimin e këtij zhvillimi politik me të gjitha ato ngjarje që i takojnë (nga shkëputja nga pushtimi serb e deri te organizimi i shtetit të pavarur), Spahiu, në katër kapitujt e librit (Fillimi, Relacionet, Diplomacia dhe Amerika), përpiqet që karriera e diplomatit në SHBA të ngërthejë momentet kyçe të kësaj kthese historike. Në të vërtetë, këtu qëndron edhe vlera e këtij libri, ngaqë kujtimet dhe vështrimet nuk janë observime personale e as emocionale të çastit me situatën “e re”, por ndërlidhje e faktorëve kryesorë me vetë çështjen e kauzës. Këtu, gjithsesi, krahas aspekteve gjeopolitike dhe gjeostrategjike që lidhen me interesimin e SHBA-ve që shpërbërja e ish Jugosllavisë po edhe tranzicioni në Shqipëri dhe vendet tjera lindore, të marrë kahun e rrënimit të komunizmit dhe të rikthimit të pluralizmit demokratik, shfaqet edhe roli i madh i komunitetit shqiptaro-amerikan, që ky proces të marrë kahun e duhur në të gjitha fazat: nga ato të internacionalizimit të çështjes së Kosovës e deri te krijim i atmosferës (nëpërmes lobit shqiptaro-amerikan) për ndërhyrjen politike dhe ushtarake të Uashingtonit në dobi të çështjes së Kosovës, që u përmbyll me pavarësinë e Kosovës.

Në fund të librit, në kapitullin “Amerika”, ndonëse si diplomat i karrierës, autori prapë do t’i kthehet observimit publicistik, për të nxjerrë pamjen konkrete të pasqyrimit të disa pikave nga jeta amerikane, sidomos nga “gjeografia” e saj kulturore dhe ekonomike, siç janë Teksasi, Atlanta, Juta, Çikago, Nju-Orleansi, Florida, e ku gjendet vend edhe për “lagjen e Kosovës” në Porto-Riko.