[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kërkohen më shumë testime për COVID-19, rreth 2 mijë të testuar në Kosovë



Gjatë fundit të muajit mars Kosova është furnizuar me shtatë mijë teste, derisa është iniciuar kërkesa edhe për furnizim me dhjetë mijë teste të tjera.

Kosova gjatë muajit të kaluar është furnizuar me shtatë mijë teste për detektimin e virusit COVID-19, derisa në vend deri sot janë realizuar 1 mijë e 964 teste. Njohësit e shëndetësisë thonë është e nevojshme të bëhen sa më shumë testime e të shtohet furnizimi me to

Derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje ndaj vendeve të ndryshme të botës që të bëjnë më shumë testime për të detektuar rastet me koronavirus, në Kosovë thuhet se nuk po bëhet një gjë e tillë.

Njohësit e shëndetësisë thonë se duhet të shtohet numri i testimeve në vend, për shkak se testet që po bëhen nuk janë të mjaftueshme e po ashtu as furnizimi me to.

Gjatë fundit të muajit mars Kosova është furnizuar me shtatë mijë teste, derisa është iniciuar kërkesa edhe për furnizim me dhjetë mijë teste të tjera.

Kujtojmë se nga data 8 shkurt deri më 5 prill Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me metodën RT-PCR ka testuar gjithsej 1 mijë e 964 mostra të dyshimta me virusin COVID-19. Prej tyre pozitive kanë rezultuar 145 raste me 3 raste të vdekjes.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 3 mijë e 137 kontakte të rasteve pozitive me koronavirus.

“E nevojshme të bëhen më shumë testime, të shtohet numri i tyre”

Onkologu Ekrem Hyseni, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ka thënë për “Zërin” se janë të pamjaftueshme testet për detektimin e virusit COVID-19, me të cilat është i furnizuar vendi.

Sipas tij, testet janë shumë të rëndësishme, andaj edhe duhet të ketë furnizim më shumë.

“Ne kemi nevojë për shumë më shumë teste, për arsye se testimet janë shumë me rëndësi. Ky është rekomandim edhe i OBSH-së. Nuk është vetëm izolimi i rekomandueshëm, por numri i testimeve patjetër që duhet të shtohet. Besoj që gjatë kësaj jave do të bëhen më shumë teste. Për momentin mendoj që shtimi i testimeve dhe respektimi i rekomandimeve të Institutit janë shumë me rëndësi”, ka theksuar ai.

Hyseni ka shtuar se gjendja sa i përket koronavirusit të ri për momentin është duke u menaxhuar, por, siç ka thënë ai, këto dy javë duhet të forcohen edhe më shumë masat.

“Është me rëndësi që të respektojmë masat të cilat janë vendosur e rekomandimet e IKSHPK-së. Të ruajmë distancën e të mos ketë mbledhje të më shumë se dy a tre personave. Për momentin ne jemi në gjendje të menaxhuar. Mendoj se ka nevojë që këto masa në këto dy javë të forcohen”, ka thënë ai më tutje.

Personat pa simptoma nuk testohen

Shef i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Xhevat Jakupi, ka thënë se personat të cilët nuk kanë indikacione epidemiologjike nuk testohen.

Ai ka thënë se ka teste të mjaftueshme për testimin e personave me indikacione. “Të gjithë individëve të cilët kanë indikacion epidemiologjik është duke iu kryer testi dhe rezultatin po e marrin brenda ditës e më së shumti brenda 24 orëve. Testimi i individëve jashtë indikacioneve epidemiologjike për momentin nuk kryhet. Ka teste të mjaftueshme për testimin e çdo individi që ka indikacion epidemiologjik. Është duke u testuar mjaft, po e vëreni nga numri total i të testuarve deri më 5 prill 2020 (1964 mostra), vetëm 7% janë raste pozitive”.

Jakupi është shprehur se janë duke punuar 7 ditë në javë pa orar të kufizuar dhe se janë të dedikuar në kryerjen e punës profesionale.

Ai ka theksuar se si vështirësi për momentin kanë sigurimin e materialit laboratorik për punë të përditshme. “Personeli në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK është plotësisht i dedikuar në kryerjen e punës profesionale, përkatësisht në kryerjen e testimeve për qytetarët e Kosovës që i plotësojnë indikacionet epidemiologjike. Jemi duke punuar shtatë ditë në javë, pa orar të kufizuar. Për momentin nuk ka ndonjë vështirësi të theksuar, përveç presionit social, që po e vërejmë në medie dhe sigurimit të materialit laboratorik për punë të përditshme”, ka shtuar ai.

OBSH: Nuk po bëhen teste të mjaftueshme, të testohen të gjithë të dyshuarit

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë muajit mars është thënë se në vende të ndryshme të botës nuk po bëjnë teste sa duhet për të zbuluar të prekurit me koronavirus.

Shefi i Institucionit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka kërkuar që të mos tolerohet askush dhe të testohen të gjitha rastet e dyshuara.

Ghebreyesus ka deklaruar se OBSH-ja ka dërguar më shumë se 1.5 milion teste në 120 vende, por ato nuk kanë marrë masa për t’i zhvilluar këto teste. Ai shtoi se çdo person që ka pasur kontakte me personat e prekur duhet të testohet edhe pse nuk ka shfaqur simptoma.

 

Menu Title