.
×

Këshilli i Ministrave në Bruksel nesër diskuton për taksën ndaj Serbisë dhe FSK-në



Të hënën në Bruksel pritet të mblidhet Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ku do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat me të cilat ballafaqohen vendet e rajonit.

Këshilli i BE-së pritet të përsërisë qëndrimin se Prishtina duhet të revokojë tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe se mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndryshohet vetëm në përputhje me kushtetutën dhe me dialogun e të gjithë faktorëve kompetent.‘Tanjug’ raporton se ministrat do të fokusohen në gjendjen e Bosnje e Hercegovinë pas zgjedhjeve, zbatimin e marrëveshjes së Shkupit dhe Athinës për emrin si dhe për zhvillimet në dialogun Beograd-Prishtinë.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ritheksuar të premten se nuk ka asnjë dilemë rreth votimit të tri projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, më 14 dhjetor.“

NATO është organizatë e disa vendeve të sigurisë dhe mendimi i një anëtari të NATO-s nuk kthehet në vendim, në fakt vendimet merren vetëm kur të gjithë janë dakord, kështu që ne nuk na pengon puna me NATO-n. Nëse kjo është një kërkesë dhe nuk aprovohet nga të tjerët kjo nuk ndryshon asgjë”, ka thënë Haradinaj

Për këtë pati edhe kundërshtime nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.Stoltenberg paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Sipas Stoltenberg, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”.Përveç taksës, gjithashtu Qeveria e Kosovës është duke menduar për vendosjen e masave të reja ndaj Serbisë.Të dielën gjatë ditës mediet në Kosovë por edhe në Serbi kanë raportuar se priten tri masa të reja kundër Serbisë.Në mesin e masave janë raportuar edhe ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë, dhe gjithashtu edhe ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë./Telegrafi