[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

 Komandant “Molla e Kuqe” para Gjykatës, flasin dëshmitarët



 

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka vazhduar dhënia e dëshmive në  gjykimin ndaj ish-komandantit të UÇK-së  Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte.

Në seancën e së martës dëshminë e tij edha Fadil Qatani.Në fillim të seancës, u bë leximi i deklaratës së dëshmitarit të dhënë në Gjykatën Themelore në Prizren, me 07.05.2018, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të deklaratës, dëshmitari deklaroi se mbetet pranë saj.Prokurori Haki Gecaj, e pyeti dëshmitarin se kë e keni pasur epror të drejtpërdrejt.Dëshmitari deklaroi se epror të drejtpërdrejt e ka pasur Shaq Tërshanen nga fshati Grajqevc, ndërsa Shaqa i është përgjigjur komandant Gurit.

Tutje dëshmitari tha se nuk e dinë se sa ushtarë kanë qenë në atë njësi, ku ka qenë ky ushtar dhe se në mesin e ushtarëve e ka njohur vetëm Arif Përteshin, me të cilin ka shkuar në pika.

Dëshmitari deklaroi se Shaq Tërshana e ka dërguar në pikën ku ka bërë roje dhe se nuk e din se si e ka pasur emrin pika, por vetëm që ka qenë si kodër.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, ia rikujtoi dëshmitarit se çka ka deklaruar në procesverbalin e datës 07.05.2018 , ku në pyetjen e të dëmtuarit Zenel Përteshi “ a je brengosur me rastin e prindit tim ” , përgjigja “ka qenë se po , por nuk kam pas mundësi të reagoj ”, duke shtuar se çka nënkupton kjo , pse nuk ka pasur mundësi me reagu përkatësisht me pengu atë çka i ka ndodhur Haxhiut.

Dëshmitari deklaroi se “unë për këtë rast nuk di asgjë”.

I dëmtuari Zenel Përteshi, i tha dëshmitarit se “si komshi dhe bashkë fshatar në vend se me mu bo krah për zbardhjen e prindit gjithashtu edhe fshatit , ju vini këtu dhe më dilni kundër, vetë deklaratat dhe përgjigjet që i jepni këtu më tregojnë burrërinë dhe ligësinë e juaj gjatë luftës e sidomos përfshirjen me rastin e prindit tim”.

Tutje i dëmtuar Përteshi i tha dëshmitarit se në pyetjen e prokurorit ju nuk e njohët asnjë ushtar, mirëpo a e din se a kanë qenë ushtar, Xhafer Shukolli, Besim Qatani, Emrush Qatani, Sadri Përteshi etj.

Dëshmitari u përgjigj duke deklaruar “se po të njëjtit  kanë qenë”.Tutje dëshmitari deklaroi se nuk ka qenë i involvuar në rastin e Haxhi Përteshit e as në rastet e Shaban Lubovcit dhe Xhemajli Elshanit.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se nuk e ka njohur ushtarin Skender Krasniqi dhe se ka qenë vetëm një ushtar i thjeshtë.Në fund ai deklaroi se gëzon pensionin e veteranit dhe se certifikatën e veteranit, ia ka nënshkruar komandant Guri.

Prokurori Gecaj, deklaroi se “edhe pse dëshmitari ka arsim të ulët, ka kaluar një kohë e gjatë prej luftës ku ai ka qenë i moshës së re, konsideroi se disa gjëra ka mund t’i dij dhe të na tregon”.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Asdren Hoxha, dha vërejtje në dëshminë e dëshmitarit Fadil Qatani për faktin se i njëjti, i frikësuar për vetë veten që mund të zgjerohet akuza ndaj tij, qëllimisht fsheh shumë fakte dhe rrethana, ku përfshirjen e tij e kanë përmendur çartë shumë dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

Tutje avokati Hoxha, deklaroi se janë mjaft indikative rrethanat se i njëjti i njeh vetëm të vdekurit eprorë si Xhem Kapetani , Shaq Tërshana e Jetulla Qarri – Guri , ndërsa të akuzuarin Remzi Shala dhe personin me emrin Ferat Shala me nofkën “ Komandat Plaku ” , ky dëshmitar thotë se nuk i njeh qëllimisht, duke tentuar që të mbulon përfshirjen e vetë vetes në veprimet nën maskë të natës kritike.

Pas dhënies së dëshmisë së dëshmitarit dhe deklarimit të palëve, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, njoftoi se seanca e sotme përfundoi, ndërsa seanca e radhës do të mbahet nesër në ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke u dënuar me 14 vite burg.

Por Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

E Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, e ka kthyer rastin në rivendosje.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

Menu Title