.
×

Komedia kosovare inskenohet në Teatrin Shtetëror të Turqisë  



Komedia “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” (Geçtim Ama Tiyatrodan) e autorit kosovar Jeton Neziraj është duke u inskenuar në Teatrin Shtetëror të Stambollit. Ajo është bërë pjesë e repertorit teatror 2014 / 2015 dhe premierën do ta ket me datë 7 tetor.  Vetëm gjat muajit tetor jan paraparë 14 shfaqje, ndërsa që, repriza të radhës do të ketë përgjatë krejt sezonës teatrore.  

 Komedia në turqisht është përkthyer nga Senem Cevher, e cila edhe ka përkthyer shumicën e dramave tjera të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj.

 Regjine shfaqjes është duke e bërë regjisori i mirënjohur turk Atilla Şendil, kurse do të luajn e aktorët: Ozan Dağara, Selçuk Kıpçak, Gamze Yapar Şendil, Cengiz Baykal, Şahin Çelik.

 Kjo është drama e dytë e Nezirajt e cila luhet në teatrot e Stambollit. Në fillim të këtij viti atje nga teatri BO Sahne është inskenuar edhe tragjikomedia “Yue Madeleine Yue”.

 “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, është një satirë politike për shtetin e sapolindur të Kosovës, i cili i dërmuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe mbrojtja e përhershme e ndërkombëtarëve, përpiqet të gjej vet rrugën kah e ardhmja.

 “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” për herë të parë është vënë në skenë në dhjetor të vitit 2012, në Prishtinë, nga Qendra Multimedia. Produksioni Kosovar i kësaj komedie ka pasur dhjetra repriza të suksesshme në Kosovë, Serbi, Maqedoni, Shqiperi e Slloveni, kurse deri në fund të këtij viti do të shfaqet edhe në Itali e Zvicër.