.
×

Komuna fillon hartimin e Ligjit për Kryeqytetin



Sot u hapën punimet për hartimin e draft dokumentit që do t’i paraprijë zhvillimit të Projektligjit për kryeqytetin, ku ekspertët e grupeve punuese kanë diskutuar për disa modele ligjore lidhur me koncept – dokumentin që do të shërbente si bazë për ligjin e Prishtinës.Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ideja është që të ndërtojnë një koncept dokument që më pas ekspertët juridik do ta përkthenin në ligj. Ahmeti ka thënë se për Komunën e Prishtinës është e rëndësishme që të kenë një ligj ku planifikohen nevojat e Komunës. “Për ne si Komunë e Prishtinës është me rëndësi që ta kemi një ligj ku planifikohen nevojat e Komunës edhe përtej nesh si administratë, pasi që ne politikanët jemi të përkohshëm, janë ligjet dhe administrata ato që mbesin, prandaj duhet menduar dhe punuar diçka që është afatgjate”, ka thënë Ahmeti. Ahmeti, ka shtuar se pas këtij takimi do të punohet në finalizimin e koncept – dokumentit i cili do të prezantohet në një diskutim më të gjerë publik, si dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal do t’i shprehin mendimet e tyre me qëllim të përpilimit të një ligji të mirëfilltë. Kryetari Ahmeti theksoi se qëndrimi i Komunës së Prishtinës sa i përket koncept – dokumentit është që në praktikë të shërbehen me politikat e shteteve të tjera si model, por jo edhe me tekstet dhe legjislacionin e tyre. Ahmeti, është shprehur i kënaqur për këtë arritje, për të cilën e falënderon edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Kurse, Besnik Osmani drejtor i Institutit kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë se në fazën e parë dëshirojnë të kyçin edhe sektorin jo publik që të jetë pjesë e grupit punues, në mënyrë që të kenë mendime edhe nga ata që ligji për Prishtinën të ndërtohet mbi parimet kushtetuese./L.net