.
×

Kosova lëshon pe karshi presionit për masa reciproke për pasaportat serbe



Botapress, 17 Gusht-Republika e Kosovës nuk ka mundur t’i bëj ballë presionit ndërkombëtarë lidhur me reciprocitetin për lëvizje të lirë që Kosova e vendosi karshi shtetasve të Serbisë.

Ata shtetas të cilët kanë tentuar të futen në territorin e Republikës së Kosovës, deri më tani nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë me pasaportë serbe në vend.Hyrja dhe dalja nga shteti i Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas është realizuar vetëm me letërnjoftim.

E gjithë kjo masë reciproke e Kosovës karshi Serbisë ishte bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit 2011.

Mirëpo, kalimi i pikave kufitare Serbi- Kosovë tashmë mund të bëhet edhe me pasaporta të shtetit serb. Kështu kanë bërë të ditur burime mirë të informuara të Gazetës B.

“Kosova ka filluar sërish t’i njohë pasaportat e shtetit të Serbisë. E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e presonit ndërkombëtar. Përveç kësaj, presion ka pasur edhe nga përfaqësues të Luginës së Preshevës pasi qytetarët e kësaj ane nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt Kosovës me pasaporta të Serbisë”, ka thënë ky burim.Në marrëveshjen për lëvizje të lirë thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim.”

Në vitin 2009 kur Serbisë iu mundësua liberalizimi i vizave, Serbia atëkohë miratoi rregulloren me të cilën të gjithë atyre që kanë vendbanim në Kosovë, dokumentet e udhëtimit t’ua lëshojë drejtoria Koordinuese e Ministrisë se Punëve të Brendshme të Serbisë në Beograd, e që në Kosovë konsiderohen jo valide.Madje, ndaj një veprimi të tillë pati reaguar edhe ish-ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, e cila pati thënë se pasaportat e qytetarëve serbë të lëshuara nga strukturat paralele, janë jovalide.

Kurse sa i përket qarkullimit, ajo ka thënë se në Kosovë zbatohet marrëveshje për lëvizje të lirë, e që mundësohet vetëm me anë të letërnjoftimit dhe jo pasaportës.Për këtë ka reaguar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke thënë se ndalesa e hyrjes me pasaporta serbe, është treguesi më i mirë se në këtë “kuazi-shtet” nuk dihet “kush pi e kush paguan”.