.
×

Kosovari, dy vjet punë në Gjermani me dokumente false çeke



Me rastin e një kontrollimi të bërë në autobus, policia e trafikut në Leipheim ka hasur në të riun 29 vjeçar nga Kosova, i cili prej dy vitesh ka jetuar dhe punuar në Gjermani me identitet të rrejshëm. Para policëve ai është paraqitur si shtetas çek, duke treguar letërnjoftimin e falsifikuar çek.

Gjatë bastisjes, policia në banesën e kosovarit ka gjetur edhe një patentë çeke të shoferit dhe disa dokumente tjera valide por me emra të rrejshëm. Por, policët kanë arritur ta konstatojnë identitetin e vërtetë të personit në fjalë pasi që atij, në vitin 2010 me rastin e procedurës së azilit i janë marrë dhe përpunuar të gjitha të dhënat personale.

Kosovari ka pranuar se që nga viti 2012 punon me dokumente të rrejshme në Gjerman si pastrues ndërtesash, shkruan augsburger-allgemeine.de. Si masë sigurie, policia e ka detyruar atë të paguajë një depozitë në lartësinë e pagës mujore dhe ka ushtruar kallëzim penal ndaj tij. Pas kësaj ai duhet të lëshojë Gjermaninë.