.
×

Krejt çfarë ndodhi në mbledhjen e Komisionit Hetimor rreth dëbimit të 6 gylenistëve



Me përplasje të mëdha është përcjellë mbledhja e Komisionit Hetimor për dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova, raporton KTV.

Shkak janë bërë deklaratat e kryetarit të këtij komisioni, Xhelal Sveçla, dhe nënkryetarit Driton Selmanaj, që kishin thënë se nëse Hashim Thaçi nuk do t’i përgjigjet ftesës për dëshmi, do të sillej me dhunë para komisionit.

Më i zëshmi aty e në mbrojtje të ish-shefit të partisë, tash presidentit Hashim Thaçi, ishte deputeti Hajdar Beqaj. Ai e ka kërcënuar kryetarin me bojkotim të komisionit nëse nuk kërkon falje për fyerjen që ua ka bërë figurave publike dhe nëse nuk ka maturi në deklarimet e tij. Përplasja e tij vazhdoi edhe me Driton Selmanajn.

Aty madje u bë debat se kryetar i kujt vazhdon të mbetet Hashim Thaçi. Sveçla, më tutje, ka treguar se cilat kanë qenë institucionet që kanë sjellë dosjet që kanë kërkuar si komision.

Tha se shumë institucione nuk kanë sjellë fare dokumente. Presidenca, kryeministria dhe kryeparlamentari nuk kanë dhënë kurrfarë informate.

Më vonë, për raportim është ftuar kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, por mbledhja u mbyll për media.

Kundër ishte Driton Selmanaj, por të tjerë deputetë konsideronin se prania e mediave do ta prishte procesin e hetimeve.

Raportimi i kryeshefes së IPK-së është i pari, ndërsa tash deri në nëntor raportimet do të shpeshtohen, ku pritet që si dëshmitarë të jenë edhe presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari si dhe shumë zyrtarë të institucioneve tjera./bp/