.
×

Ku humbi Rexhep Selimi?!



Për Rexhep Selimin dikur ishte i pamoralshëm rreshtimi në krah të Ibrahim Rugovës. Ai dhjetë vite më parë, në vitin 2004, kishte dhënë dorëheqje nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi që kjo bëri koalicion qeverisës me LDK-në.

Selimi, i cili njihet si luftëtarë i hershëm i UÇK-së, në një intervistë të dhënë për “Epokën e re”, më 14 qershor të vitit 2005, disa muaj pas largimit, e pat quajtur të pamoralshëm këtë koalicion.

Ndërkaq, me hyrjen në politikë të Lëvizjes Vetëvendosje, ai u bashkua me këtë formacion politik dhe ka qenë njëri prej më të zëshmëve dhe më të votuarve të kësaj partie.

Heshtja e tij e tanishme për hyrjen e Vetëvendosjes në koalicion me LDK-në dhe subjektet e bllokut opozitar, si dhe gatishmëria e subjektit të tij për të hyrë në koalicion edhe me Listën Srpska, lë të kuptohet që ai po mundohet ta kalojë këtë gjë në heshtje, sepse tashmë ka ndryshuar edhe botëkuptimi i tij rreth dorëheqjes, si akt moral dhe politik.

I kontaktuar nga Indeksonline, Selimi ka thënë se për dallim nga viti 2004 kur për të ishte i papranueshëm koalicioni me LDK-në derisa ai ishte pjesë e AAK-së, tash janë motive dhe rrethana tjera.

Ai ka hezituar të thotë prerazi se marrëveshja për koalicion ndërmjet Blloku LDK-AAK-Nisma (LAN) është e pranueshëm për të.

Në pyetjen e drejtpërdrejt se duket që është i pranueshëm për të një koalicion i tillë ndërmjet LAN-it dhe VV-së, Rexhepi ka thënë: “Nuk e thashë një gjë të tillë”.

“I kemi deleguar kompetencat te një grup që merret më këtë punë dhe kjo çështjet kalon nëpër forumet e Lëvizjes. Grupi i deleguar i ka kompetencat për të biseduar”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se si anëtar i Këshillit Drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje, çfarëdo që vendosin forumet e VV-së, për të nuk do të jetë problem.