.
×

Ku mbet premtimi i Haradinajt se nëse zgjidhe kryeministër do të ndajë nga 10 euro për fëmijë



 

Botapress, 25 Shkurt – Kur kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkonte votat e popullit për të arritur në postin që ka, ndër të tjera, prindërve u kishte premtuar nga 10 euro në muaj për një fëmijë. Ai kishte marrë shembull Maqedoninë që kjo shumë shkon deri në 40 euro në muaj.

“Nëse Maqedonia mundet me japë shtesa fëmijëve, 40 euro për fëmijë, 80 euro për fëmijën që ka vetëm një prind. Pse nuk na ka shkuar mendja deri sot, edhe neve, me ja nis dikun”, kishte thënë Haradinaj, transmeton Gazeta Express.

 

Tutje ai thoshte që nëse shteti nuk ka buxhet për të dhënë këtë shumë deri sa fëmija të rritet, të paktën deri në moshën 7 vjeçare do t’ua ndante.

 

“Nëse nuk kanë mundur 40, kanë mujtë 20. Nëse s’kanë mujtë deri në moshën 18 vjeç, kanë mujtë bile deri në 7 vjeç”, kishte thënë grave, gjatë një tubimi në kinema, Ramush Haradinaj.

 

Gjashtë muaj pas këtij premtimi kryeministri nuk ka bërë asgjë për këtë çështje. Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë së Kosovës, lidhur me atë se kur planifikohet të zbatohet ky premtim, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigjje.

 

Kjo ide ishte mirëpritur nga prindërit, madje të njejtën ide e kishte prezantuar pas Haradinajt edhe kandidati për kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti.

 

Sidoqoftë, Haradinaj ende nuk ka ndërmarrë asgjë për këtë premtim. Ndryshe, për këtë gjashtëmujor sa ai është në pushtet është kritikuar shumë nga shoqëria civile dhe qytetarët, njëherë për numrin e madh të zëvendësministrave, pastaj për pushimet luksoze, deklaratat skandaloze ndaj gazetarëve etj.