Fitorja e kombëtares në Portugali ka krijuar një jehonë entuziazmi në rrjetet sociale, ku nuk kanë ngurruar të reagojnë që nga figurat kryesore politike deri te qindra mijëra, njerëz brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në mesazhet e postuara vihet re optimizmi, dëshira për sukses dhe urimet për lojën, kurajën dhe karakterin e treguar në fushë nga djemtë e skuadrës së drejtuar nga italiani Gianni De Biasi. Kryeministi i vendit, Edi Rama, pas fitores 1-0 të përfaqësueses shkroi në Twitter: “C’ kënaqësi të bësh botën të flasë mirë për vendin tënd! Lum si çunat e kombëtares sonte e faleminderit! Forca Shqipëria! Edhe ish kryeministri, Berisha nuk mungoi t’i bashkohej fansave kuqezi anembanë trojeve shqiptare për të uruar suksesin e ekipit kombëtar përmes një mesazhi në Facebook: “Fillim i ri, fitore e rëndësishme e madhe e kombëtares sonë. Balaj shënon fitoren ndaj Portugalisë. Urime!!!”. Në Facebook reagoi dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, që e lidhi suksesin e Shqipërisë dhe me atë të Kosovës: “Shqiptarët s’po ndalen dot së shkruari histori futbolli. Fitore masive e Shqipërisë ndaj Portugalisë pasi që Kosova fillon e para me fitore ndaj Omanit. Me vazhdu kështu, me punë shumë dhe pak fat, larg shkojmë”. Reagime erdhën dhe nga lojtarë të përfaqësueses kuqezi, me Mërgim Mavrajn që ja dedikoi suksesin dhe kosovarit, Ilir Azemi që po kalon një periudhë të vështirë pas aksidentit të pak javëve më parë duke postuar dhe një foto bashkë me Shalën, ku mban veshur fanellën e tij:

“Edhe për ty është kja fitore vellai im Ilir Azemi. Edhe per ty e shkruam historin…”. Ndërkohë kapiteni Lorik Cana shkroi në Facebook: “Pa euforizem të tepërt dhe duke punuar fort te ecim përpara për të bërë krenar këtë popull dhe këtë vend qe e meriton vërtetë .Kini besim tek këta djem të talentuar. Kini besim te kjo kombetare. Fjalë te sinqerta nga kapiteni juaj. Naten e mirë bëfshi dhe një hërë tjetër Faleminderit!”. Gjithashtu urimet nuk munguan dhe nga Granit Xhaka, që aktivizohet për Zvicrën, i cili uroi shqiptarët por dhe vëllain e tij Taulantin që debutoi në kombëtare: “Urime vllau im. Urime Shqipëria për fitoren! Dhe në fund e mbyllim me tifozët kuqezi, ata që kurrë nuk reshtën së përkrahuri përfaqësuesen tonë, të cilët shkruajtën: “Bravo Shqipni!Jemi krenar me ju, o sa mirë me qenë shqiptar!